Vijon, plot shpresa, dialogu ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shtetit të Izraelit.
(10.07.2009 RV)Komisionit dypalësh Seli e Shenjtë-Shtet i Izraelit u mblodh
dje në selinë e Ministrisë izraelite të punëve të jashtme, në Jeruzalem, për të vijuar
bisedimet lidhur me “Marrëveshjen ekonomike”. Në përfundim, u botua një komunikatë
e përbashkët, në të cilën shkruhet se “bisedimet u zhvilluan në një atmosferë shumë
të përzemërt dhe se delegacionet besojnë se dhanë një ndihmesë të ndjeshme për ta
çuar përpara dialogun drejt arritjes së marrëveshjes së dëshiruar”. Kujtojmë se
në këtë takim të Komisionit dypalësh Seli e Shenjtë-Shtet i Izraelit u bisedua kryesisht
për mundësitë që Kisha katolike të gëzojë në Izrael siguri juridike e fiskale. Sipas
Marrëveshjes së vitit 1993, të dyja palët qenë impenjuar të arrinin, lidhur me argumetet
e taksave e të pronave, një mirëkuptim dypalësh. Kapitujt tashmë njihen nga të gjithë:
mbrojtja e pasurisë kishtare, posaçërisht e Viseve të Shenjta; garancia e mbrojtjes
gjyqësore në rast kundërshtimesh; regjim fiskal për Kishën, që ia njeh e ia ripohon
të drejtat ekzistuese në çastin e krijimit të Shtetit të Izraelit; sigurime shoqërore
për klerin e rregulltarët. Në përfundim të takimit, Komisioni dypalësh botoi edhe
programin për bisedimet në muajt e ardhshëm. Do të vijojnë më 26 gusht; më 15 e 16
shtator, më 14 e 15 tetor dhe më 11 e 12 dhjetor 2009, në Vatikan. Datat e takimeve
të ardhshme, shumë më të dendura se ato të së kaluarës, krijojnë bindjen se mund të
shpresohet shumë për arritjen e marrëveshjes ekonomike brenda vitit.