2009-07-10 19:42:13

Paqja, zhvillimi dhe mbrojtja e jetës, në qendër të takimit të parë të Benediktit XVI me Obamën.


(10.07.2009 RV)Takimi i parë i Benediktit XVI me Barak Obamën në Vatikan. Limuzina e presidentit të Shteteve të Bashkuara hyri në Oborrin e Shën Damasit pak pas orës 16.00, pasi kishte përshkuar Rrugën romake të Pajtimit, mes duartrokitjeve të turistëve e të romakëve, që kishin mbushur anët e rrugës. I 44 –ti president i SHBA-ve u prit në Vatikan nga prefekti i Shtëpisë Papnore, imzot Xhejms Harvei. E më pas, takimi, aq i pritur, që zgjati pak më shumë se një orë.

“It’s a great honour for me”, “Është nder i madh për mua!”- ishin fjalët e para të Presidentit Obama në çastin kur i shtrëngoi dorën Benediktit XVI. Më pas, duke iu përgjigjur pyetjes së Papës, Presidenti amerikan pohoi se G8 i Akuilës ishte shumë produktiv. Vijoi, pastaj, takimi me porta të mbyllura në Bibliotekën private të Atit të Shenjtë. Për protokollin, kjo e sotmja është vizitë private, por kur është fjala për Presidentin e Amerikës, natyrisht nuk mund të konsiderohet audiencë si gjithë të tjerat.
Takim me rëndësi të dorës së parë, pra, audienca e sotme. Temat e bioetikës, të abortit e të kërkimeve shkencore mbi qelizat staminale embrionale, tejet të rëndësishme për fatet e njerëzimit, ishin në qendër të vëmendjes në bisedimet private. Në deklaratën e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, shkruhet:
“Sot pasdite, e premte, 10 korrik, Shenjtëria e Tij Benedikti XVI priti në audiencë Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shkelqësinë e Tij, Zotin Barak Obama. Pak më parë, Presidenti u takua me Hirësinë e Tij, Kardinalin Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit, i shoqëruar nga Shkelqësia e Tij, imzot Dominik Mambertì, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.
Gjatë bisedimeve të përzemërta, u ndaluan posaçërisht mbi çështjet, që u interesojnë të gjithëve, që përbëjnë një sfidë të madhe për të ardhmen e çdo Kombi e për progresin e vërtetë të popujve, siç janë mbrojtja e promovimi i jetës dhe e drejta e kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes.
U fol edhe për emigracionin, me vëmendjen e përqendruar tek aspekti i bashkimit familjar.
Në qendër të takimit ishin edhe temat e politikës ndërkombëtare, parë në dritën e rezultateve të takimit të rangut të lartë të G8. Theksi u vu posaçërisht mbi perspektivat e paqes në Lindjen e Mesme, për të cilat ka mirëkuptim e mbi situata të tjera zonale. U fol përmbledhtas edhe mbi disa argumente tejet aktuale, si dialogu ndërmjet kulturave e feve, kriza ekonomike-financiare në nivel global dhe pasojat e saj etike, sigurimi ushqimor, ndihma për zhvillim, posaçërisht për Afrikën e Amerikën Latine si dhe problemi i trafikut të drogës. Së fundi, u nënvizua rëndësia e edukimit për tolerancë në të gjitha vendet”.
Në përfundim të takimit, Benedikti XVI e shoqëroi personalisht çiftin presidencial deri tek porta e bibliotekës: “Lutem për ju, lutem për punën tuaj” përsëriti, ndërsa i shtrëngonte duart Presidentit e gruas së tij, Mishelë. “Ju falënderojmë! Ju falënderojmë! Ishte kënaqësi e veçantë – përsëritën të emocionuar edhe mysafirët.
Para se të arrinte tek ashensori i parë, për të zbritur në Oborrin e Shën Damasit, Obama përshkoi sallat mahnitëse të Pallatit Apostolik, me vlera të pallogaritshme e unike, duke u ndaluar vazhdimisht për të admiruar afresket e veprat e artit, që stolisin çdo pëllëmbë të këtyre mureve e që, me gjuhën e artit, flasin për më se njëmijë vjet histori.
Presidenti amerikan i dhuroi Papës një stolë, e cila nga viti 1988 deri në vitin 2007 ka qenë e vendosur mbi reliket e John Neumann, i pari ipeshkëv i SHBA që u shpall shenjt.
Ndërsa Papa, së bashku me Enciklikën ‘Caritas in Veritate”, jashët programit, i dhuroi Presidentit amerikan edhe një dokument me kuptim thellësisht simbolik, parë në dritën e kontrasteve mbi çështjet e mbrojtjes së jetës, që deri tani i kanë shtyrë ipeshkvijtë amerikanë t’i kundërvihen Obamës, Dokumentin e Kongregatës për Doktrinën e Fesë “Dignitas Personæ”, që doli vitin e kaluar e i kushtohet pikërisht problemeve të bioetikës. Në “Dignitas Personæ” ripohohet qëndrimi i prerë i Kishës kundër abortit dhe kërkimeve shkencore mbi qelizat staminale embrionale. Duke e marrë dhuratën, Obama tha: “Folëm edhe për këto tema”.
Ndërsa Sekretari i Benediktit XVI, don George, u shpjegoi gazetarëve se ky dokument mund ta ndihmojë Presidentin amerikan për ta kuptuar më mirë qëndrimin e Kishës katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.