2009-07-10 16:05:03

Kryeministri Sali Berisha deklaron kabineti i ri qeveritar deri në 10 ditëshin e dytë të gushtit


(10.7.2009 RV)Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbrëmje, gjatë një emisioni televiziv, se "kabineti i ri qeveritar pritet të përcaktohet deri në 10 ditshin e dytë të muajit gusht".
I ftuar në një emision televiziv, Kryeministri Berisha foli për situatën pas zgjedhore në vend, koalicionin me LSI-në për krijimin e qeverisë së re, si dhe për reformat kryesore që pritet të kryhen gjatë këtij mandati qeverisës.
I pyetur se çfarë postesh pritet të marrë LSI në qeverinë e re, Kryeministri Berisha u shpreh se "asgjë nuk është përcaktuar, pasi deri tani janë bërë diskutime programore".
"Koalicioni pas zgjedhur me LSI-në është një formë e re dhe e dobishme, i diktuar nga rezultati. Por absolutisht unë do t'i ofroja koalicion LSI-së edhe sikur të kisha 73 deputetë", tha Kryeministri Berisha.
Ndërsa për sa i përket numrit të portofoleve ministrore që do të ketë kabineti i ri qeveritar, Kryeministri Berisha u shpreh se "kjo është çështje e negociatave".
"Do të përcaktohet koalicioni dhe më pas do të vendoset për emrat. Mund të largohen, mund të vijnë, por është koalicioni ai që dikton", tha Kryeministri Berisha.
Për sa i përket prioriteteve të qeverisjes së ardhshme, Kryeministri u shpreh se "lëvizja e lirë është prioritet madhor, infrastruktura gjithashtu, pasi do ta bëjë Shqipërinë evropiane".
Në të njëjtën kohë, Kryeministri u shpreh se "çdo reformë që do të realizohet ka nevojë për konsensusin e opozitës në tërësi, si reforma në shëndetësi, në rritjen e pagave etj".
Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, koalicioni "Aleanca e Ndryshimit" , i drejtuar nga Partia Demokratike fitoi 71 mandate, koalicioni "Bashkimi për ndryshim", i kryesuar nga PS fitoi 65 mandate, ndërsa LSI-ja 4 mandate.
Në datën 4 Korrik, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njëkohësisht Kryeministër i vendit ftoi Lëvizjen Socialiste për Integrim të jetë pjesë e qeverisë së re që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, një ftesë e cila u pranua nga LSI.







All the contents on this site are copyrighted ©.