2009-07-10 17:56:40

Imzot Tomazi në Ecosoc të Gjenevës: mbështetja e programit për mbrojtjen e shëndetit të kombeve të varfëra është imperativ etik.


(10.07.2009 RV)Sigurimi, në epokën globale, i ndihmës shëndetësore të bazës për popullsitë e vendeve të varfëra, është detyrim etik, përveçse rrugëzgjidhe largpamëse praktike. Kështu u shpreh kryeipeshkvi Silvano Maria Tomazi, në fjalimin që mbajti dje në Gjenevë, gjatë takimit të Këshillit Ekonomik e Shoqëror (Ecosoc) të OKB-së. Përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në kryeqytetin helvetik, përshkroi, me shifra e fakte, gjendjen aktuale të emergjencës në vendet e prapambetura, duke i nxitur shtetet e pasura të ndërhyjnë me pikësynime të mirëpërcaktuara.
Ndërsa analistët diskutojnë mbi shkaqet e krizës, pasojat shoqërore të varfërive të reja: humbja e vendeve të punës, ushqimi i pamjaftueshëm e prapambetja, që thellohet, kërkojnë përgjigje efikase e të menjëhershme – tha imzot Tomazi - e, në vijim, duke i bërë jehonë Enciklikës së fundit të Papës Benedikti XVI, nënvizoi se kriza, që po trondit Planetin, është pasojë e lakmisë dhe e mungesës së përgjegjësisë etike. E në rrethanat e një krize të tillë, vijon të thellohet më tej rreziku i pandemive, si ai i virusit A-H1N1, i njohur tashmë si gripi i derrit e të bëhen gjithnjë më të mprehta problemet e sigurisë ushqimore, gjë që flet qartë për lidhjen e ngushtë ndërmjet varfërisë e shëndetit.
Delegacionin e Selisë së Shenjtë – vijoi prelati – e shqetësojnë seriozisht parashikimet e Bankës Botërore, sipas së cilës gjatë vitit 2009 numri i njerëzve të katandisur në varfëri të plotë, për të mos thënë në mjerim, do të rritet nga 53 në 65 milionë, ndërsa do ta kalojë miliardin numri i të uriturve kronikë, 800 mijë prej të cilëve jetojnë në fshat, ku kujdesi për shëndetin ka mangësi serioze e prandaj edhe duehen vënë në jetë nisma të reja të ndihmës shëndetësore.
Ta përballosh këtë problem – vijoi të theksonte përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë – më shumë se çështje solidariteti, është çështje drejtësie, çështje ndihme, që shërbimet publike e kanë për detyrë t’ia japin njeriut. E duke pasur mirë parasysh posaçërisht cilësinë e ndihmës shëndetësore, që u jepet grave, theksoi se kjo ndihmë sot për sot lë shumë për të dëshiruar.
E këtu përfaqësuesi i Vatikanit në Gjenevë kujtoi impenjimin e gjithanshëm të Kishës katolike në fushën e shëndetësisë: ajo, numëroi, drejton 5.378 spitale, 18.088 klinika, 15. 448 shtëpi për pleqtë e njerëzit me aftësi të kufizuara fizike e mendore, ka nën kujdes një mori programesh të asistencës shëndetësore në mbarë botën, sidomos në zonat më të izoluara e më të prapambetura, ndërmjet njerëzve, për shëndetin e të cilëve nuk kujdeset askush, siç ndodh shpesh në Afrikë.
Duke kërkuar ndihmë të përshtatshme për strukturat shëndetësore të Kishës, që tani për tani është e pamjaftueshme – prelati nuk harroi të bënte thirrje për solidaritet në mbrojtje të jetës, nga zënia në vdekjen e natyrshme, për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga raca, gjymtimet, kombësia, feja, seksi e gjendja shoqëroro–ekonomike..







All the contents on this site are copyrighted ©.