2009-07-10 17:42:23

Benedikti XVI ambasadorit meksikan: liria fetare është shkëmbi, mbi të cilin bazohen të drejtat e njeriut.


(10.07.2009 RV)Liria fetare, mbrojtja e jetës, promovimi i familjes e i solidaritetit, ishin argumentet kryesore, që preku Benedikti XVI në fjalimin drejtuar ambasadorit të Meksikës, Héktor Federiko Ling Altamirano, të cilin e priti sot në Vatikan për paraqitjen e Letrave kredenciale.
Shërbimi më i mirë, që mund t’i bëjnë të krishterët shoqërisë, është kumtimi i Ungjillit, i cili ndriçon kulturën e vërtetë demokratike dhe e orienton njeriun në kërkimin e së mirës së përbashkët: këtë nënvizoi Benedikti XVI i cili, në fjalimin drejtuar ambasadorit të ri meksikan pranë Selisë së Shenjtë, vuri theksin mbi rëndësinë që ka feja në jetën shoqërore:
“En efecto, la libertad religiosa no es un derecho más”…
Në të vërtetë – tha Papa – liria fetare nuk është vetëm e drejtë ose privilegj i Kishës por – nënvizoi – është shkëmbi mbi të cilin ngrihen të drejtat e njerëzore, sepse në këtë liri shprehet në mënyrë të veçantë përmasa e mbinatyrshme e njeriut dhe paprekshmëria absolute e dinjitetit të tij. Prandaj liria fetare nuk mund të kufizohet vetëm në shoqërinë e qytetarëve, që e praktikojnë privatisht fenë e tyre, ose të ngushtohet thjeshtë në ushtrimin e kultit:
“A este respecto, la Iglesia católica, a la vez que sostiene e impulsa…”
Në këtë vështrim – saktësoi Papa - Kisha katolike, që mbron e promovon vizionin e rolit tejet pozitiv të fesë në shoqëri, nuk dëshiron të ndërhyjë në autonominë e institucioneve civile. Nga ana tjetër – shtoi - Kisha dhe bashkësia politike janë e duhet të jenë, secila sipas detyrës së vet, në shërbim të jetës personale e shoqërore të qytetarëve. Shprehu, më pas, kënaqësinë, për autonominë reciproke dhe bashkëpunimin e plotë ndërmjet Kishës e Shtetit, duke pasur parasysh edhe vendin e rëndësishëm që zë feja në historinë e Meksikës.
Por Ati i Shenjtë nuk harroi të vinte theksin edhe mbi problemet e ndërklikuara, që vijojnë ta trondisin vendin latino-amerikan: që nga ushtrimi i dhunës, tek trafiku i drogës; nga pabarazia, tek varfëria. Për t’i përballuar këto sfida – siguroi Papa – shoqëria meksikane mund të mbështetet gjithnjë në bashkëpunimin e në solidaritetin e Kishës katolike. Më pas Benedikti XVI pohoi se mjetet e teknikës ose të sigurisë, nuk janë të mjaftueshme për të gjetur rrugëzgjidhje të suksesshme e të qëndrueshme. Është e nevojshme – nënvizoi – të punohet për përtëritjen morale; për edukimin e ndërgjegjeve, për krijimin e kulturës së vërtetë të jetës:
“Nunca se insistirá bastante en que el derecho a la vida…”
Nuk është kurrë e tepërt të ngulësh këmbë – theksoi - se e drejta për të jetuar duhet njohur në të gjithë shtrirjen e saj. Njeriu meriton respekt e solidaritet nga zënia, në vdekjen e natyrshme. E ky respekt duhet mbrojtur me ligje të drejta politike, që e kanë mirë parasysh vlerën e njeriut në çdo çast të jetës së tij. Benedikti XVI ripohoi edhe se identiteti meksikan u farkëtua në rrjedhë shekujsh me mesazhin e shëlbimit, kumtuar nga Kisha katolike:
“La fe en Jesucristo ha engendrado en México…”
Besimi në Krishtin – kujtoi – bëri që në Meksikë të lindte kultura e shpresës, nga e cila burojnë parimet për zhvillimin e shoqërisë, mbrojtja e drejtësisë, përpjekjet për sigurimin e paqes e, akoma, lufta kundër dhunës, kundër korrupsionit e kriminalitetit si dhe mbrojtja e vazhdueshme e jetës së njeriut dhe e dinjitetit të tij. Papa kujtoi edhe Takimin botëror të familjeve, që u mbajt kohët e fundit në Qytetin e Meksikos, duke ripohuar se familja, e bazuar mbi martesën, është qelizë bazë e indit shoqëror.







All the contents on this site are copyrighted ©.