2009-07-09 11:17:04

Përkujtojmë sot 85-vjetorin e lindjes së dom Nikollë Minit.


(09.07.2009 RV)Dom Nikollë Mini lindi më 9 korrik 1924, në Ferizaj. Ishte më i vogli ndër katër fëmijët, që Zoti u fali prindërve, Kolë Mini dhe Monika Kajtazi.
Shumë shpejt mbeti jetim dhe iu desh të strehohej në dyert e të afërmve. Fëmijë i zgjuar, jashtëzakonisht i shkathët, tërhoqi vëmendjen e meshtarëve vendas, që e përcollën në seminarin e Prizrenit e pastaj në Seminarin e Shkodrës e të Zagrebit, ku kreu studimet filozofike e teologjike.
U shugurua meshtar njëherësh me Dom Milorad Defarin, misionar kroat i mirënjohur ndërmjet shqiptarëve me emrin Dom Mila, në vitin 1950. Nisi menjëherë shërbimin meshtarak kudo e kërkoi Kisha: nga Shenjtorja e Zojës së Crnagore në Letnicë, në Novoselë të Gjakovës, në Bec, Zym, Velezhë e në katedralen e Prizrenit, ku mbylli sytë më 15 maj 1992 në elter, ndërsa kremtonte Meshën Shenjte, duke vulosur kështu përkushtimin ndaj Kishës, për të cilën ishte përpjekur gjithë jetën.
Figurë poliedrike, monsinjor Nikollë Mini u dallua si meshtar i jashtëakonshëm, si ndërtues kishash, organizator i rinisë katolike, mjeshtër i korit kishtar, gojëtar, publicist, autor i flepalosjes "Zani i Zojës së Crnagorës" dhe i katekizmit me titull "Besimi katolik", themelues, bashkë me ipeshkvin imzot Nikë Prelën, i revistës fetare-kulturore "Drita" e cila më vonë pati edhe shtëpinë e vet botuese, prej nga dolën shumë botime të reja e që me disa ndërprerje, vazhdon të botohet e të botojë edhe sot.
Mbeti në kujtesën e besimtarëve si njeri që jetoi për Zotin e me Zotin, për popullin e me popullin; si meshtar që jetoi për Elterin e mbylli sytë në Elter, duke lënë kështu gjurmë të pashlyeshme në jetën e Kishës e të kulturës shqiptare, model që meriton të ndiqet nga breznitë e reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.