2009-07-09 17:40:13

Në takimin e G8 i lihet vend në tavolinë edhe vendeve në zhvillim e sipër. I pamjaftueshëm impenjimi për klimën sipas OKB.


(09.07.2009 RV)RealAudioMP3 Nga Grup i Tetëshes në Grup të Katërmbëdhjetshës. Kështu, pra takimi i G8 që po zhvillohet në Akuila u zgjerua duke i lënë vend në tavolinë vendeve në zhvillim shto këtu edhe Egjiptin e duke përfshirë në debatin për ekonominë, varfërinë dhe mjedisin edhe udhëheqësit e vendeve më të varfra.
Takimi i lartë i Akuilas, pra, po përpiqet që të kthehet në një takim shpresash dhe premtimesh. Dje udhëheqësit e Italisë, SHBA, Kanadasë, Francës, Japonisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë miratuan një dokument të rëndësishëm për ekonominë, i cili përmban standardet ndërkombëtare që duhet të zbatohen në mënyrë që të shmanget një krizë e re globale si kjo që po kalon bota tani.
Por e veçanta e ditës së sotme të punimeve qëndron në faktin se në të morën pjesë të gjitha subjektet dhe organizatat e ftuara. Ndër temat e diskutimeve veçojmë: mjedisin dhe luftën kundër varfërisë, probleme këto për të cilat sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun, i cili arriti sot paradite në Akuila, mendon se nuk është bërë sa duhet.
Nga ana tjetër marrëveshja e arritur, dje e cila parashikon që nxehja e globit deri në 2050 të mos i kalojë dy gradët centigradë si dhe uljen me 50% të gazrave ndotëse, po ndesh në “kokëfortësinë” e Kinës dhe të Indisë. E vetmja gjë që dihet me siguri është se dokumenti mbi klimën që do të miratohet nga Forumi i Ekonomive Kryesore – ku përfshihen edhe vendet e G5 (Brazili, Kina, India, Meksika, Afrika e Jugut) si edhe Australia, Indonezia, Korea e Jugut dhe Danimarka – do të njohë cakun e rritjes së temperaturës mesatare globale me dy gradë centigradë.
Organizatat jo qeveritare të pranishme në Akuila e pritën me shpresë por edhe me shqetësim nismën shumëvjeçare prej 15 miliardë dollarësh për zhvillimin ushqimor në vendet e varfra. Plani - të cilin e bëri publik dje kryeministri italian Silvio Berluskoni - nuk është tjetër veçse një propozim i administratës amerikane. Por sipas disa Organizatave joqeveritare prapseprap kjo nuk është e mjaftueshme. Në mikrofonin tonë flet Luka de Fraia i organizatës joqeveritare “Akshën Aid”. Ta dëgjojmë:

Përgjigje: Organizata për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) ka botuar disa statistika kohët e fundit që flasin për përkeqësimin e kushteve të jetesës dhe të varfërisë nëpër botë, dhe duke parë këto shifra ne kemi llogaritur se rreth 250 mijë persona në ditë, gjatë vitit të fundit kanë rënë poshtë nivelit të varfërisë së skajshme. Është marramendës ky fakt, aq sa ne theksuam se sikur nga ky takim i G8 të mos dalin iniciativa konkrete e të forta, atëherë një gjysmë milioni persona rrezikohen nga uria vetëm këto tri ditë.
Kontinenti afrikan mbetet ende kontinenti ku përqindja e të uriturve është më e lartë se në të gjithë botën. Është pothuajse 32% e Afrikës nënsahariane që vuan nga uria. Gjithashtu në nivel global nuk duhet harruar se uria po rritet edhe në Azi, kontinent ky ku vitet e fundit ka pasur një ulje të saj. Pra, gjendemi përpara një situate ku në vend që të bëhen hapa para po bëhen hapa prapa.







All the contents on this site are copyrighted ©.