2009-07-08 16:26:12

Samiti G8 fillon punimet në Akuila, diskutim mbi reformën e ekonomisë botërore e tregtinë ndërkombëtare.


(08.7.2009 RV)RealAudioMP3 Samiti G8 filloi punimet në Akuila, ku janë ballafaquar sot kryetarë shtetesh e qeverish të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Rusisë, Britanisë së Madhe e SHBA-së plus presidenti i Komisionit Evropian e Suedia si presidente e radhës së Bashkimit Evropian. Klima, kriza ekonomike e rregulloret e reja për financat janë ndër temat kryesore e kyçe të samitit. Nuk merr pjesë presidenti i Kinës Hu Jintao, i cili është kthyer në vend për shkak të përshkallëzimit të situatës në Ksinxhiang. Liderët e samitit të G8 në Akuila diskutojnë mbi reformën e ekonomisë botërore e tregtinë ndërkombëtare.

Liderët e botës u mblodhën në Kazermën e Rojës së Financës të Kopitos, seli e takimit të madh, ku nisën diskutimet për masat që duhen marrë lidhur me reformimin e ekonomisë botërore dhe të tregtisë ndërkombëtare. Në tryezën e bisedimeve, dokumenti i hartuar nga presidenca italiane, i cili me 12 rregullat e tij, urohet të arrijë në krijimin e standarteve globale për një ekonomi më etike. Një vëmendje e veçantë në këtë drejtim i kushtohet reformimit të institucioneve financiare dhe zhdukjes së parajsave fiskale brënda vitit 2010. Boca e dokumentit, që parashikon edhe ndalimin e çdo forme të proteksionizmit, pritet të miratohet nga pjesa më madhe e liderëve të G8, prej atyre të OSBE-së, që dhanë kontributin për hartimin, si dhe të Fondit monetar ndërkombëtar. Shumë të rëndësishme për organizatat jo qeveritare, që e ndjekin nga afër takimin e rangut të lartë, bisedimet e pasdites për shkaqet e fenomenit të varfërisë, e cila po thellohet gjithnjë më shumë në mbarë botën, dhe të rrugëdaljeve të mundshme. Emergjenca më e rëndë vijon të mbetet ajo e sigurimit të ushqimit të përditshëm, në një botë me 1 miliard e gjysëm njerëz të uritur. Pritet që, në përpjekjen për ta shëruar këtë plagë të rëndë, të financohen 16 miliardë euro. Shifër e rëndësishme, por që organizatat jo qeveritare, të pranishme në samit, e konsiderojnë të pamjaftueshme. Sipas tyre, për luftën kundër varfërisë, duhen financuar së paku 23 miliardë dollarë në vit, duke filluar që tani e duke vijuar deri në vitin 2012.
Gjithnjë pasdite, punimet patën në qendër të vëmendjes problemet e ambientit e të ndryshimeve klimaterike, për të përfunduar, në mbrëmje, me një sesion kushtuar temave më delikate të politikës ndërkombëtare. Përpjekje e përgjithshme, pra, për zgjidhjen e problemeve globale, me vëmendje të veçantë edhe për fjalët e Benediktit XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.