2009-07-08 18:57:59

Papa në audiencën e përgjithshme kushtuar Enciklikës së re: ekonomia e politika kanë nevojë për njerëz të ndershëm. Lutja për liderët e G8.


(08.07.2009 RV)RealAudioMP3 “Të lutemi për liderët e mbledhur në Akuila”: ftesa e Benediktit XVI iu drejtua besimtarëve, të pranishëm sot paradite, në Sallën e Palit VI për audiencën e përgjithshme, të cilën Ati i Shenjtë ia kushtoi Enciklikës së re ‘Caritas in Veritate’ –‘E vërteta me dashuri’, që u paraqit zyrtarisht dje.

E vërteta, e thënë me dashuri, është forca kryesore lëvizëse për zhvillimin e njëmendtë të çdo njeriu. E pikërisht njeriu është në qendër të vëmendjes së doktrinës shoqërore të Kishës – shpjegoi Benedikti XVI:
Vetëm përmes dashurisë, të ndriçuar nga arsyeja e nga feja, mund të realizohen objektivat e zhvillimit, të pajisura me vlera humane e humanizuese”.
Dy - kriteret themelore të Enciklikës: “drejtësia”, pjesë përbërëse e dashurisë, që të shtyn të thuash të vërtetën dhe “e mira e përbashkët”, “e lidhur me mënyrën shoqërore të jetesës së njerëzve”. Janë tema me interes jetik – nënvizoi Papa - për mbarë njerëzimin e shekullit, në sa kronika e muajve të fundit pasqyron gjërësisht vijimin e shkandullit të pabarazive të bujshme, megjithë impenjimet që janë marrë në të kaluarën. Nga njëra anë – vërejti Ati i Shenjtë – shikojmë shenja të rënda të çekuilibrimit shoqëror dhe ekonomik, e nga ana tjetër, reforma që nuk janë më në gjndje ta sheshojnë hendekun e krijuar në zhvillimin e popujve. E në se globalizimi është mundësi reale, kërkon, pa dyshim, një përtëritje të thellë morale e kulturore:
Një ardhmëri më e mirë për të gjithë mund të bëhet realitet, në se do të bazohet mbi rizbulimin e vlerave themelore etike”.
Enciklika nuk ofron “rrugëzgjidhje teknike” – sqaroi Papa - por kujton “parimet e mëdha, të domosdoshme”: vëmendjen ndaj jetës së njeriut, qendër e çdo progresi të vërtetë; respektin për lirinë fetare, lidhur gjithnjë me zhvillimin e njeriut; mospranimin e vizionit, sipas të cilit njeriu është zot absolut i fatit të vet, që të mos besojë në mënyrë të pakufizuar në mundësitë e mjeteve teknologjike e të mbesë, në fund, i zhgënjyer:
“Ndjehet nevoja për njerëz të ndershëm, si në politikë, ashtu edhe në ekonomi, që të jenë sinqerisht të vemendshëm ndaj së mirës së përbashkët”.
Ndërmjet emergjencave, Benedikti XVI vuri theksin tek drama e urisë dhe e pasigurisë ushqimore, që prek një pjesë të mirë të njerëzimit:
Një dramë me përmasa të tilla interpelon ndërgjegjën tonë: është e nevojshme të përballohet me vendosmëri, duke zhdukur shkaqet strukturore që e shkaktojnë e duke promovuar zhvillimin e bujqësisë në vendet më të varfëra”.
Papa shprehu bindjen se duhet rivlerësuar pushteti politik i shteteve, të kufizuara në sovranitetin e tyre, në ‘rrethanat e reja ekonomiko-tregtare e financiare globale”. Kujtoi, më pas, se qytetarët duhet të marrin pjesë me përgjegjësi në jetën politike kombëtare e ndërkombëtare, të ndihmuar edhe nga impenjimi ri i shoqatave të punëtorëve. Më pas kërkoi që mjetet e komunikimit të luajnë rol të dorës së parë për të fuqizuar dialogun ndërmjet kulturave e traditave të ndryshme. Të gjithë janë të thirrur të punojnë për arritjen e këtyre objektivave, ekonomistët e politikanët, prodhuesit e konsumatorët, atje ku të drejtat nënkuptojnë edhe detyrat, për të mos u shndërruar në arbitraritet.
Nga ana tjetër – ripohoi Benedikti XVI – ekonomia, që të funksionojë drejtë, ka nevojë për etikën; e kështu edhe në ekonominë e tregut “rregulli nuk mund të jetë vetëm fitimi”. Përballë problematikave tejet të gjëra e të thella, që shqetësojnë botën e sotme, Papa foli edhe për një “Autoritet politik botëror” që të mbështetet në mënyrë të palëkundshme mbi parimet e ndihmës e të solidaritetit. Një autoritet – pohoi - që gëzon ‘pushtet të njëmendtë e që respekton traditat e mëdha morale e fetare të njerëzimit’.
Në përfundim, ftesa e Benediktit XVI drejtuar besimtarëve, që të luten për presidentët e kryeministrat, mbledhur në Akuila, me bindjen se:
Nga ky samit botëror mund të merren vendime e të lindin orientime të nevojshme për progresin e vërtetë të mbarë popujve, posaçërisht të atyre që janë më të varfër”.
Pas audiencës, Benedikti XVI priti, në një nga mjediset pranë Sallës së Palit VI, disa nga bashkëshortet e liderëve politikë të G8, të shoqëruara nga ministret italiane, Mara Karfanja e Maria Stela Gjelmini. Të pranishme në këtë takim shumë të përzemërt e jo të zakonshëm, bashkëshortja e presidentit meksikan Kalderon, e presidentit jugafrikan Zuma; e kryeministrit britanik Braun; e kryeministrit indian Singh; e kryeministrit suedez Rainfeld, e kryetarit të Komisionit evropian, Barroso si dhe një drejtuese e agjensisë nigeriane Ifad. Pas takimit me Atin e Shenjtë, mysafiret e shquara vizituan Kopshet e Vatikanit, duke kaluar nga Shpella e Lurdës dhe hynë, pastaj, në Bazilikën e Shën Pjetrit.







All the contents on this site are copyrighted ©.