Botohet Motu proprio “Ecclesia unitatem”, me të cilën Papa riorganizon Komisionin
Papnor “Ecclesia Dei”, ngarkuar për problemet me lefevrianët.
(08.07.2009 RV)Me Motu proprion
Ecclesia unitatem”(Uniteti i Kishës), që mban datën 2 korrik, por e u bë e njohur
sot, Benedikti XVI riorganizoi Komisionin Ecclesia Dei, ngritur nga Gjon Pali II
menjëherë pas shkishërimit të kryeipeshkvit Marsel Lefevrë dhe të katër ipeshkvijve
të Vëllazërisë së Shën Piut X, shuguruar nga prelati francez pa mandat papnor. Sipas
organizimit të ri, Komisioni lidhet ngushtë me Kongregatën për Doktrinën e Fesë, prefekti
i së cilës, kardinali Uiljam Jozef Levada - u emërua me këtë rast, kryetar i të njëjtit
komision. “Vendimi u mor për të treguar kujdesin atëror ndaj Vëllazërisë së Shën
Piut X, me qëllim që të arrihet bashkimi i plotë me Kishën”. Kjo theksohet në Motu
proprio-n, që është vijim i Motu proprios-s Summorum Pontificum, të vitit 2007. Përmes
këtij dokumenti, Benedikti XVI e riorganizon në tri pika kryesore Komisionin e ngritur
nga Papa Vojtila: së pari, kryetar i Komisionit është prefekti i Kongregatës për Doktrinën
e Fesë. Së dyti, struktura e re do të ketë kryetarin dhe punonjësit e saj. Së treti,
kryetari e sekretari do t’ia nënshtrojnë studimit e gjykimit të dikasterit për Doktrinën
e Fesë, çështjet kryesore me karakter doktrinor. E kjo, sepse – pohon Bendikti XVI
- problemet që linden me bashkësinë e Shën Piut X janë pikërisht të natyrës doktrinore
e derisa të sqarohen, do t’i pengojnë meshtarët e Vëllazërisë të kenë statusin kanonik
në Kishë e ta ushtrojnë në mënyrë të ligjshme e misionin e tyre.