Me 7 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Astin, Ipeshkëv i Durrësit e Martir.
(07.7.2009 RV)Për Shën Astin gojëdhëna na sjell shumë pak lajme e shumë pak
është gërmuar arkeologjia apo ndër kujtesa e ndër libra për ta rikrijuar edhe një
herë jetën e këtij bariu martir. Dimë me siguri se Shën Asti ishte ndër ipeshkvijtë
e parë të Durrësit gjatë sundimit të Trajanit (98-117), në sa Iliriku qeverisej nga
Agrikolao. Pikërisht në këtë kohë u martirizua Shën Asti, sepse nuk pranoi të nderonte
shtatoren e Dionizit. Duhet të ketë qenë viti 100, kur ipeshkvi trim derdhi gjakun
për Krishtin, duke dhënë dëshminë më lartë. Një ditë të nxehtë të korrikut Shën
Astin e zhveshën lakuriq duke i lyer trupin me mjaltë dhe e varën në një pemë, ku
dha shpirt pas torturave të mëdha e çnjerëzore. Pastaj trupin e tij e morën të krishterët
dhe e varrosën. Më vonë mbi varrin e Shën Astit u ngrit një Kishë e madhe katedrale
dhe Shën Asti u shpall mbrojtës i qytetit të Durrësit. Emri i Shën Astit, gjendet
edhe në përshkrimin e martirizimit të Pelegrinit, Luçianit, Ezikut, Papios, Saturninit
e Gjermanit që, sapo ishin strehuar në Durrës, panë trupin e Astit akoma të mbërthyer
në kryq e, të ngushëlluar nga flijimi i tij, shpallen se ishin të krishterë dhe pësuan
menjëherë të njëjtin fat. Menologu i Bazilit e kremton Astin më 6 korrik e po në këtë
datë, edhe Vjetari kishtar greko-sllav. Ndërsa në Senasarin e Kostandinopojës,
festa e tij kremtohet më 7 korrik, së bashku me Shën Pelegrinin e shokët martirë të
Durrësit. Emri i Shën Astit ishte i nderuar në gjithë zonën e Shqipërisë Veriore,
gjë që e vërteton Kisha e françeskanëve në Rubik e cila, në se i besojmë dëshmive
gojore të përcjella brez pas brezi në popull, duhet të ketë qenë fillimisht e Etërve
Benediktinë, për t’u kaluar më pas françeskanëve – siç dëshmon Farlati tek vepra monumentale
“Illyricum Sacrum”. Kisha e vogël ishte e pikturuar me afreske, poshtë të cilave shkruheshin
citate nga Shkrimi Shenjt si edhe emrat e shenjtërorëve të pikturuar. Ndërmjet tyre
ishte edhe emri i Shën Astit, ipeshkvit e martirit të Durrësit.