2009-07-07 17:11:31

Kard.Toran në Kongresin ndërfetar të Kazakistanit: njerëzimi i bashkuar mund të gjejë vlera etike të përbashkëta e të jetë më solidar.


(07.07.2009 RV)RealAudioMP3 “Uniteti i familjes njerëzore është themeli më i fortë për solidaritetin global e baza e kërkimit të vlerave të përbashkëta etike të cilat, për fat të mirë, në kohën tonë, vijojnë të shikohen me interes gjithnjë në rritje”. Këtë nënvizoi kardinali Zhan-Lyi Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, në fjalimin e mbajtur gjatë Kongresit të tretë të liderëve të feve botërore e tradicionale, organizuar këto ditë në Astana të Kazakistanit.

“Përcaktimi i vlerave etike e shpirtërore për një etikë universale; gjetja e rrugëve të mundshme të dialogut e të bashkëpunimit; vlerësimi i perspektivave të solidaritetit, posaçërisht në kohë krize”. Rreth këtyre temave diskutuan dhe shkëmbyen përvojën, përfaqësuesit e konfesioneve kryesore fetare, së bashku me delegatët e OKB-së, të OSBE-së e të Unesko-s, me rastin e Kongresit të tretë të liderëve të feve botërore e tradicionale. Themelore për të favorizuar dialogun ndërmjet njerëzve me kultura e fe të ndryshme – pohoi kardinali Toran – fjalimi i të cilit u botua edhe në ‘L’ Osservatore Romano’- është gjetja e vlerave të përbashkëta morale, duke respektuar plotësisht larminë e traditave. Vendimtare në këtë drejtim është etika, që mund të formojë ndërgjegjen njerëzore e t’i ndihmojë besimtarët të zgjedhin të mirën e jo të keqen.
Kardinali Toran, i cili kryesonte delegacionin papnor, citoi edhe Deklaratën universale të të drejtave të njeriut, duke e quajtur ‘një nga shprehjet më të larta të ndërgjegjes në historinë moderne, që kontribuoi për t’i bërë njerëzit të vetëdijshëm për pasurinë e vlerave të familjes njerëzore e të dinjitetit të saj.
Sipas kardinalit Toran - besimtarët mund ta ndriçojnë të afërmin, duke i mësuar se njerëzit u krijuan sipas shembëlltyrës së Zotit. U krijuan të barabartë. Zoti u dha të drejta të patjetërsueshme, ndërmjet të cilave, kryesoret, e drejta për të jetuar, për të qenë të lirë, për të kërkuar e për të gjetur lumturinë.
Kongresi i Astanës, që mblidhet çdo tri vjet, mbahet me nismën e presidentit të Republikës së Kazakistanit, Nursulltan Nazarbajev.
Në vendin aziatik – lexojmë në një notë – vitet e fundit është hartuar një platformë e veçantë shpirtërore për dialogun ndërfetar. Nevoja për pajtimin ndërmjet feve pranohet nga shumë personalitete kishtare, që po përgatisin vija të posaçme veprimtarie për ta arritur këtë objektiv.







All the contents on this site are copyrighted ©.