2009-07-07 16:45:11

Iran. Rafsanxhani nuk e pranon rezultatin e votimeve.


(07.07.2009 RV)Në Iran nuk ka paqë. Sipas sitit internet të gazetës Los Anxhelos Tajms, lëvizja politike “Kargozoran” e drejtuar nga ajatollah Akbar Hashemi Rafsanxhani, nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve të fundit të zhvilluara në Iran. “Deklarojmë se rezultati është i papranueshëm për shkak të kushteve të papërshtatshme në të cilat është zhvilluar procesi zgjedhor, për manipulimet e dukshme si edhe për njëanshmërinë e hapur që kanë treguar disa anëtarë të Këshillit të Rojeve, të cilët mbanin krahun e Ahmadinexhadit."
Në Iran, siç komentojnë shumë media perëndimore, po përplasen dy grupime të mëdha, ai reformist i Rafsanxhanit dhe ai ultrakonservator që drejtohet nga ajatollah Khamenei. Kjo ndeshje ndërmjet këtyre forcave politike është reale dhe u konfirmua edhe nga vetë gjenerali Jadollah Javani, komisari politik i Rojeve të Revolucionit.
Ndërsa mbrëmë, ministri i jashtëm francez Bernard Kushner i kërkoi autoriteteve iraniane të lirojnë menjëherë shtetasen franceze Klotildë Reis, 23 vjeçe, e cila është arrestuar dhe akuzohet për spiunazh. Reis në të vërtetë vetëm sa ka fotografuar me celular protestat e opozitës në qytetin Isfahan. Po ashtu edhe opozita iraniane kërkoi që të lirohen të gjithë të arrestuarit e ditëve të kaluara.







All the contents on this site are copyrighted ©.