2009-07-06 18:58:38

Të enjten e ardhshme në Jeruzalem, takim i ri dypalësh ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shtetit të Izraelit.


(06.07.2009 RV)Të enjten e ardhshme, më 9 korrik, në selinë e Ministrisë izraelite të punëve të jashtme, në Jeruzalem, do të mbahet takimi i ardhshëm i punës i Komisionit dypalësh Seli e Shenjtë-Shtet i Izraelit. Do të bisedohet kryesisht për mundësitë që Kisha katolike të gëzojë në Izrael siguri juridike e fiskale. Sipas Marrëveshjes së vitit 1993, të dyja palët qenë impenjuar të arrinin, lidhur me argumetet e taksave e të pronave, një mirëkuptim dypalësh. Kapitujt tashmë njihen nga të gjithë: mbrojtja e pasurisë kishtare, posaçërisht e Viseve të Shenjta; garancia e mbrojtjes gjyqësore në rast kundërshtimesh; regjim fiskal për Kishën, që ia njeh e ia ripohon të drejtat ekzistuese në çastin e krijimit të Shtetit të Izraelit; sigurime shoqërore për klerin e rregulltarët.Në përfundim të takimit të së enjtes, pritet që Komisioni dypalësh të botojë programin për bisedimet në muajt e ardhshëm. Deri tani dihet vetëm data e takimit të ardhshëm plenar: 10 dhjetor 2009.







All the contents on this site are copyrighted ©.