2009-07-06 15:09:58

Në Kastres të Francës u shpall e Lume Zhanë-Emili de Vilanëv.


(06.07.2009 RV)RealAudioMP3 Dje, në qytezën Kastres, pranë Pirenejve franceze, u kremtua Mesha solemne me ritin e lumnimit të Zhanë-Emili de Vilanëv, themeluese e Kongregatës së Zojës së Papërlyer, rregulltaret e së cilës njihen me emrin ‘motrat e kaltra”. E lindur në një familje fisnike, jetoi në gjysmën e dytë të tetëqindës e themeloi një institut të cilin, me një kusht të posaçëm, ia kushtoi shenjtërimit të të afërmit. Por, për ta njohur më hollësisht të Lumen e re, të dëgjojmë kryeipeshkvin Anxhelo Amato, i cili sot, në emër të Papës, shqiptoi formulën e lumnimit:

Përgjigje: - Zhanë-Emili Vilanëv – e njohur shkurtimisht me emrin Emili –lindi në Tuluzë, më 9 mars 1811. Ishte vajza e tretë e kontëve të Vilanëv Hoterive. Jetoi në kështjellën e familjes, pranë Kastres. U rrit e ndrojtur, reflektive, larg zhurmave të kështjellës e larg salltaneteve të fisnikërisë, së cilës i përkiste. Ishte në kërkim të rrugës së drejtë, kur Zoti i hapi portën e jetës rregulltare. Më 8 dhjetor 1836, në moshën 25 vjeçare, me dy shoqe të tjera, veshi zhgunin blu të një instituti të ri, duke marrë edhe emër të ri: Motra Mari. Prindërit e qanë me lot, si të kishte vdekur. Por ajo kaloi pa ndrojtje nga kështjella madhështore, në një strehë të mjerë, të denjë për njerëzit e varfër të qytezës. Nisi të mbledhë rreth vetes vajza të reja, që mësonin rrobaqepësi, të cilave u jepte edhe mësime fillestare katekizmi. Pak nga pak veprimtaria e saj u zgjërua e, së bashku me simotrat, nisi të vihej edhe në shërbim të të burgosurve.
Takimi providencial me Atë Liberman, themelues i meshtarëve të misioneve të jashtme, i hapi Motër Marisë horizontin misionar. Katër nga motrat e saj të para u nisën për në Senegal në dhjetor 1847. Vijuan pastaj në drejtim të Gabonit e të Guinesë angleze. Më 1853 Instituti kishte katër shtëpi në Afrikë e strehë të reja në qytetet të ndryshme franceze. Kongregata e motrave të kaltra u miratua përfundimisht nga Selia e Shenjtë më 30 dhjetor 1852.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për mrekullinë, falë së cilës rregulltarja u shpall e Lume?

Përgjigje: - Si të donte ta shpërblente Nënën për shpirtin e saj misionar, mrekullia e kërkuar për lumnim ndodhi më 1995. Ka të bëjë me shërimin e një vajze afrikane myslimane, Binta Diabi-t, nga Sierra Leone. Vajza ishte dëbuar nga familja, sepse kishte mbetur shtatzënë. E dëshpëruar në kulm, deshi të vriste veten, duke pirë sodë kaustike, që ia shkatërroi krejt organet e brendshme. Po vdiste, kur disa murgesha, që e morën vesh ç’kishte ndodhur, nisën një nëntëditëshe urate drejtuar ‘Nënës së Mirë”, duke iu lutur t’ia kthente shëndetin vajzës. Në sa murgeshat vijonin lutjen, vajza nisi të shërohej me shpejtësi të papritur e të pashpjegueshme nga ana shkencore. Ishte një shenjë nga qielli, që tregon se Nëna vijon të ndërhyjë pranë Zotit për nevojtarët.







All the contents on this site are copyrighted ©.