2009-07-06 19:14:27

Meshtari nuk duhet të ndërtojë një shoqëri të ndryshme, por të kumtojë fjalën e Zotit.


Frytet që mund të sjellë Viti Meshtarak dhe thelbi i meshtarisë ishin në qendër të vëmendjes në audiencën e përgjithshme të Benediktit XVI, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa ripohoi vlerën e domosdoshme të lutjes në jetën e çdo të krishteri. Më pas, në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve italianë, nënvizoi rëndësinë e etikës në jetën politike dhe ngriti me forcë zërin kundër plagës së fajdesë.

Meshtari është njeri, që i përket i tëri Zotit, sepse Zoti vetë e ka thirrur dhe e ka caktuar në shërbimin e tij apostolik”. Këtë nënvizoi Benedikti XVI, i cili në vijim u kërkoi të gjithë besimtarëve të luten për meshtarët, në mënyrë të posaçme në këtë Vit që u është kushtuar, i cili sapo filloi. Nënvizoi, më pas, se uron që kjo nismë të jetë një mundësi e re për përtëritje shpirtërore e, si pasojë, për impenjimin në kryerjen me zell të ri të misionit meshtarak. Lutja – vërejti më pas Ati i Shenjtë - është impenjmi i parë, udha e vërtetë e shenjtërimit të meshtarëve dhe shpirti i vërtetë i punës baritore me kandidatët për rrugën e meshtarisë:
Numri i paktë i shugurimeve meshtarake në disa vende jo vetëm që nuk duhet të na shkurajojë, por duhet të na nxisë t’i shumëfishojmë hapësirat e heshtjes e të dëgjimit të fjalës së Zotit, të kujdesemi më mirë për drejtimin shpirtëror e për sakramentin e Rrëfimit, që zëri i Zotit, i cili vijon gjithnjë të thërresë e të përforcojë, të mund të dëgjohet e të ndiqet menjëherë nga shumë të rinj”.
Pas Koncilit II të Vatikanit – vijoi të reflektonte Papa – u krijua aty-këtu përshtypja se në misionin e meshtarëve duhet të kishte diçka më të ngutshme, sesa kumtimi i Fjalës së Zotit e mbarështimi i sakramenteve. Disa – tha Papa – nisën të mendonin se, në radhë të parë, duhej ndërtuar një shoqëri tjetër, e ndryshme nga aktualja. Por, në të vërtetë – vërejti akoma Benedikti XVI – vetë Jezusi na mëson se ‘fjala e Zotit’ e ‘sakramenti’ janë dy shtyllat themelore të shërbimit meshtarak. E kush është meshtari – pyeti Papa – në se nuk është njeri i shndërruar e i përtërirë nga Shpirti Shenjt, që jeton në lidhje personale me Krishtin, duke i bërë të vetat kriteret ungjillore?”:
“Kush është meshtari, në se nuk është njeri i unitetit e i vërtetësisë, i vetëdijshëm për kufizimet e veta e njëkohësisht, për madhështinë e jashtëzakonshme të thirrjes që ka marrë, thirrje për të bashkëpunuar në përhapjen e Mbretërisë së Hyjit deri në skajet më të largëta të tokës?”.
Kujtoi, më pas, shembullin e Shën Gjon Maria Vianejt, të cilit i kushtohet Viti Meshtarak. Pikërisht si famullitari i Arsit - tha Papa – duke ndjekur binomin “identitet-mision”, çdo meshtar mund ta vërejë më mirë nevojën e këtij njëjtësimi progresiv me Krishtin, që i garanton besnikërinë e fekonditetin e dëshmisë ungjillore. Nga siguria e identitetit të tij, varet entuziazmi i ri i meshtarit për mision – vijoi Papa - e shtoi: vetë titulli i Vitit Meshtarak, ‘Besnikëria e Krishtit, besnikëri e meshtarit”, vë në dukje se ‘dhurata e hirit hyjnor i paraprin çdo përgjigjeje e çdo realizimi baritor’. Në jetën e meshtarit – nënvizoi Papa – kumtimi misionar e kulti nuk mund të veçohen kurrë njëri nga tjetri:
Dashuria për të afërmin, vëmendja ndaj drejtësisë e të varfërve, nuk janë aq tema të moralit shoqëror, sa shprehje të konceptimit sakramentor të moralit të krishterë, sepse përmes shërbimit të meshtarëve, kryhet flijimi shpirtëror i të gjithë besimtarëve, në bashkim me atë të Krishtit, që është i vetmi ndërmjetës”.
Përballë shumë paqartësive e shqetësimeve, edhe në ushtrimin e shërbimit meshtarak – theksoi Papa – është urgjente të rifitohet një gjykim i qartë e i padyshimtë mbi përparësinë absolute të hirit hyjnor.
Më pas Benedikti XVI kujtoi edhe Vitin kushtuar Shën Palit, i cili sapo përfundoi:
“Si trashëgimi e çmuar e Vitit kushtuar Shën Palit , mund të bëjmë tonën ftesën e Apostullit për t’u thelluar në njohjen e misterit të Krishtit, që të jetë Ai zemra e qendra e ekzistencës sonë personale e komunitare. E ky është kushti i domosdoshëm për përtëritjen e vërtetë shpirtërore e kishtare”.
Më pas, duke përshëndetur grupet e ndryshme të pranishme në audiencë, Papa iu drejtua në mënyrë të posaçme përfaqësuesve të Shoqatës ndërparlamentare ‘Lëvrues të etikës” , duke nënvizuar rëndësinë e vlerave etike e morale në politikë. Pastaj, duke përshëndetur përfaqësuesit e Këshillit italian kundër fajdesë, ngriti zërin në favor të viktimave të kësaj shuplake shoqërore:
“I nxis të gjithë të impenjohen me një hov të ri për t’iu kundërvënë me sukses fenomenit, shumë të përhapur, të fajdesë e të marrjes me dhunë të borxhit, gjë që s’është tjetër, veçse një skllavëri poshtëruese. Uroj që, edhe nga ana shtetit, familjeve nevojtare, të cilat marrin guximin t’i denoncojnë ata, që përfitojnë nga kushtet e tyre, shpesh herë tragjike, të mos u mungojë ndihma e mbështetja e nevojshme”.
Benedikti XVI iu drejtua edhe shtegtarëve sllovakë, duke i inkurajuar t’u qëndrojnë besnikë Shenjtorëve Çirili e Metodi, Pajtorë të Sllovakisë, që do të kremtohen të dielën e ardhshme . Ata – tha Papa – janë shembull i bashkimit në fe për të gjithë.
Pastaj, një përshëndetje për njerëzit që, në këtë periudhë pushimesh, për arsye nga më të ndryshmet, nuk mund të kalojnë disa çaste çlodhjeje, duke u uruar të mos u mungojë solidariteti e afërsia e njerëzve të dashur. Edhe një urim i fundmë. Papa ua drejtoi të rinjve, që në këto ditë po japin provime, duke i siguruar se i kujton në lutje.

Audienca e përgjithshme 01.07.2009







All the contents on this site are copyrighted ©.