2009-07-04 18:28:00

Varret e Apostujve në Romë, pikë prej nga feja përhapet deri në kufijtë e botës: reflektim i Atë Federiko Lombardit.


(05.07.2009 RV)Roma, “kryeqytet i fesë së krishterë”, sepse prej dymijë vjetësh ruan varret e Shën Pjetrit e të Shën Palit. E gjatë këtyre ditëve, më shumë se kurrë, tërhoqi vëmendjen e besimtarëve, të shtegtarëve, por edhe të atyre që dinë t’i çmojnë drejtë vlerat fetare e kulturore të një qytetërimi. Kërkimet shkencore në sarkofagun paolin e vunë në plan të parë këtë aspekt, mbi të cilin ndalet edhe drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, Atë Federiko Lombardi:

 
“Njoftimi, që dha Benedikti XVI për rezultatet e para të kërkimeve shkencore mbi trupin e sarkofagut, ruajtur nën elterin e Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve, shkaktoi emocion të kuptueshëm në botën katolike, në përfundim të Vitit kushtuar Apostullit të Popujve. Kjo duket se konfirmon – thotë Papa - traditën e njëzëshme e të pakundërshtuar, sipas të cilës këtu ruhen pikërisht eshtrat e Palit Apostull. Të njëjtin emocion patën shkaktuar, në kohën e tyre, rezultatet e thelluara të kërkimeve arkeologjike, kryer nën Bazilikën e Shën Pjetrit sipas dëshirës së Papës Piu XII, që kofirmuan, pa hijen e dyshimit, se pikërisht poshtë elterit qëndror ishte varri i Apostullit Pjetër, në nekropolin e lashtë vatikanas.
Roma është qendra e krishterimit jo sepse ishte kryeqytet i Perandorisë së lashtë, por sepse këtu princat e Apostujve pësuan martirizimin e po këtu, u ruajtën me nderim të thellë varret e tyre. Ndonëse në kulturën tonë moderne nderimi i relikeve ndjehet më pak se në të kaluarën, vendet dhe kujtimet konkrete të jetës e të dëshmisë së atyre, që na paraprinë e, posaçërisht, të Shenjtorëve, vijojnë të ruajnë një vlerë jashtëzakonisht të madhe, për të kujtuar se rrënjët tona nisin në traditën e gjallë të fesë. Pjetri e Pali, shkëmbi e drita e kumtimit, këta dishepuj të Krishtit ‘kaq të ndryshëm’ – siç thotë Papa – padyshim në kuptimin se plotësojnë njëri-tjetrin – vijojnë t’i tërheqin sytë tonë e hapat tonë drejt Romës ‘ad Limina Apostolorum” (tek Varret e Apostujve). Ata mbeten të gjallë mes nesh, për ta drejtuar e për ta ndezur fenë tonë e për t’i hapur udhën drejt kufijve të botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.