2009-07-04 18:23:54

Ati i Shenjtë kryeson Lutjet Mbrëmësore me rastin e rihapjes së Kapelës së Shën Palit në Vatikan.


(04.07.2009 RV)RealAudioMP3 Kapela, kushtuar Shën Palit, vend privat kulti, i rezervuar për Papën e për familjen papnore, siç quhen njerëzit që i qëndrojnë më pranë Atit të Shenjtë, është një nga tri kapelat e Pallatit Apostolik të Vatikanit, së bashku me Kapelën Sikstine e atë kushtuar ‘Nënës së Shëlbuesit’.
Nisi të ndërtohej në vitin 1542 nga Papa Pali III Farneze i cili, për realizmin e saj, ngarkoi arkitektin e famshëm italian Antonio da Sangallo, shumë aktiv gjatë Rilindjes e Manierizmit.
Arkitekti i porositi Mikelanxhelos dy afreske, të vëna përballë, që paraqesin Kthimin e Saulit dhe Kryqëzimin e Shën Pjetrit, dy kryevepra, të cilat meritojnë vëmendjen jo vetëm të atyre që besojnë në Zotin, por edhe në bukurinë e krijuar prej Tij. Në këto kryevepra, me ndikim mbi të gjitha veprat e artit realizuar më pas në Kapelë, historia bëhet figurë e figura, teologji e gjallë, e prekshme, tejet e kuptueshme edhe për njeriun që nuk e ka lexuar kurrë Shkrimin Shenjt.
“U realizua sot, pak ditë pas solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal e pas mbylljes së Vitit kushtuar Apostullit të Popujve - tha Papa në homelinë e kremtimit përurues – dëshira ime për ta rihapur këtë Kapelë kushtuar Shën Palit – e në vijim u ndal tek fytyrat e dy Apostujve, të cilat vijojnë të nxisin reflektimin e atyre që i kundrojnë, nga pikturat madhështore të Mikelanxhelos. Pali - vërejti Benedikti XVI - paraqitet gati plak, i shqetë, në kërkim të dritës të së vërtetës, ndonëse kur u rrëmbye nga Krishti ishte ende i ri e i fuqishëm. Pse? Në fytyrën e Apostullit vërejmë shikimin e shqetësuar të vetë artistit gjenial, asokohe në moshë të shtyrë, shikimin e çdo njeriu, shikimin tonë, sepse të gjithë kemi nevojë për të vërtetën e për dritën e lartë:
“Fytyra e Saulit të rrëzuar përdhe, ndriçohet pikërisht nga lart, nga drita e të Ngjallurit e, ndonëse plot dramaticitet, të mbush me paqe e siguri. Hiri e paqja e Zotit e mbështjellin Saulin, e rrëmbejnë, e shndërrojnë. E pikërisht këtë hir e këtë paqe ai do t’ua kumtojë të gjitha bashkësive gjatë shtegtimeve të tij apostolike, me një pjekuri prej të moshuari, jo për shkak të viteve, që i rëndojnë mbi shpinë, por të pjekurisë shpirtërore, të cilën ia dhuroi vetë Zoti”.
E nga fytyra e Palit mund të perceptojmë zemrën e mesazhit të kësaj Kapele: mrekullinë e hirit të Krishtit, që e shndërron dhe e përtërin njeriun, me anë të dritës të së vërtetës së Tij e të dashurisë së Tij.
Ndërsa fytyra e Shën Pjetrit - vijoi të komentojë Papa – paraqitet në moshën që kishte kur po kryqëzohej me kokë tatëpjetë në kryq, ashtu siç e pati paralajmëruar vetë Jezusi, kur i pati thënë: “Eja pas meje!”. E këtu paraqitet pikërisht kulmi i kësaj ndjekjeje, që nuk mund të mos na nxisë të meditojmë se Kryqi i Krishtit, Kreut të Kishës, është edhe kryqi i Pjetrit, Mëkëmbësit të tij mbi tokë!
Kështu u shpreh Papa e në vijim sqaroi se në këtë kapelë nuk bëhen kremtime me popullin. Këtu pasardhësi i Shën Pjetrit e bashkëpunëtorët e tij meditojnë në heshtje, adhurojnë Krishtin e gjallë, të pranishëm posaçërisht në Sakramentin e Eukaristisë:
“Eukaristia – theksoi Papa – është sakramenti në cilin përqendrohet gjithë vepra e Shëlbimit. Në Jezusin Eukaristi mund të kundrojmë shndërrimin e vdekjes në jetë, të dhunës në dashuri!”.
Përurimi i Kapelës së rindërtuar, kushtuar Shenjtorëve Pjetër e Pal, e njohur si Kapela ‘Paoline’ për të kujtuar emrin e Papës që e nisi ndërtimin e saj – ishte kremtimi i fundmë, simbolik, i Vitit kushtuar Shën Palit.







All the contents on this site are copyrighted ©.