2009-07-03 18:17:39

Etapat kryesore të shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në Republikën e Çekisë, më 26 deri më 28 shtator 2009.


(03.07.2009 RV)Tri ditë në Republikën Çeke për të kremtuar Shën Vençeslaun, Pajtor i Kombit. Do të jetë kjo ngjarje e madhe, zemra e shtegtimit të ardhshëm apostolik të Benediktit XVI, që do të ndalohet për tri ditë, nga data 26 deri më 28 shtatorin e ardhshëm, në Pragë e vende të tjera të Republikës Çeke. Hollësitë për etapat e veçanta të këtij shtegtimi të ri të Papës, u bënë të njohura sot nga Salla vatikanase e Shtypit.

Do të jetë një festë krejt e veçantë, kjo që çekët do të kremtojnë sivjet për nder të Pajtorit të Çekisë. Me lutjet e tyre, në këtë kremtim të madh, do të bashkohet edhe Benedikti XVI, që do të jetë në vendin e tyre dy ditë para festës, për një vizitë tejet të ngarkuar me veprimtari e takime nga më të ndryshmet. Një orë pas arritjes në Pragë, e pikërisht në orën 12. 30 të 26 shtatorit të ardhshëm, Papa do të jetë në Kishën e kryeqytetit, kushtuar Krishtit Fëmijë, për t’u dhënë çekëve përshëndetjen e parë. Pastaj, pasdite, do t’i bëjë një vizitë mirësjelljeje presidentit Václav Klaus, për t’u takuar, më pas, me autoritetet civile, politike e diplomatike të kombit. Në orën 18. 00 Papa do të kryesojë me klerin, rregulltarët e anëtarët e lëvizjeve kishtare, liturgjinë e Lutjeve Mbrëmësore në katedralen e Pragës, kushtuar Shenjtorëve Vito, Vençeslau e Adalberti.
Të dielën, më 27 shtator, Benedikti XVI do të shtegtojnë nga Praga, në Brno, kryeqendër e Moravisë, ku do të kryesojë, në aeroportin lokal, Meshën Shenjte e do të kremtojë edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot e prej nga do të riniset përsëri për Pragë, ku do të marrë pjesë në takimin ekumenik të pasdites, në Sallën e Fronit të kryeipeshkvnisë. Në përfundim, Papa do të bisedojë me përfaqësuesit e botës akademike çeke në Kështjellën e Pragës.
Ditën e fundit të qëndrimit në Republikën Çeke, Ati i Shenjtë do të kremtojë Meshën në festën e Shën Vençeslaut, në Sheshin e rrugës Melnik të qytetit të lashtë Starà Boleslav, tejet i lidhur me kultin e Shën Vençeslaut, historia e të cilit nis që nga shekulli IX.
Pasi të kthehet në Pragë, për të drekuar me ipeshkvijtë e vendit, Papa do t’i japë lamutumirën çekëve nga nunciatura e kryeqytetit, për t’u nisur, rreth orës 17. 45, në drejtim të Romës, ku pritet të arrijë dy orë më pas.
Do të jetë i 13-ti shtegtim ndërkombëtar i Benediktit XVI, i cili do të ecë në gjurmët e Gjon Palit II, që e vizitoi tri herë Çekinë: më 1990, 1995 e 1997. Kanë kaluar 12 vjet që asokohe e tani Çekia përgatitet të presë Benediktin XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.