2009-07-03 18:17:56

Ati i Shenjtë autorizon Dekretet për shpalljen e një shenjtoreje të re, për lumnimin e kardinalit Njumën dhe të shumë martirëve spanjollë


(03.07.2009 RV)Kisha së shpejti do të ketë një shenjtore e disa të lum të rinj. Duke pritur sot paradite prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kryeipeshkvin Anxhelo Amato, Benedikti XVI autorizoi shpalljen e Dekreteve, që kanë të bëjnë me mrekullinë e së Lumes spanjolle, Kandida Maria e Jezusit Çipitria i Barriola, themeluese e Bijave të Jezusit, që ndërroi jetë në Salamankë të Spanjës, më 9 gusht 1912, në moshën 67 vjeçare. Dekretet e shpallura sot njohin edhe mrekullitë e tre Shërbëtorëve të Hyjit, ndërmjet të cilëve, mrekullinë e kryer me ndërmjetësimin e kardinalit anglez, Xhon Henri Njumën, themelues i Oratoreve të Shën Filip Nerit, i kthyer nga anglikanizmi në katolicizëm.
Dekretet njohin edhe martirizimin e një ipeshkvi hungarez, mbytur gjatë regjimit komunist në vitin 1951; të një meshtari gjerman, vdekur në kampin e përqendrimit të Dakaut, në vitin 1942; të një meshtari spanjoll si dhe të një grupi tjetër rregulltarësh të Kongregatës të Zemrës së Krishtit e të Zojës së Bekuar, të gjithë të vrarë në vitin 1936, gjatë Luftës civile, kur Kisha spanjolle u mbyt në gjak nga dora e revolucionarëve vendas e ndërkombëtarë.
Së fundi, dekretet njohin virtytet heroike të dy themelueseve të Instituteve rregulltare, të një meshtari të Kongregatës së Misionarëve të Marianhill-it dhe të një terciareje të re françeskane, që jetoi në gjysmën e tetëqindës.







All the contents on this site are copyrighted ©.