2009-07-02 19:51:40

U paraqit botimi i ri i dokumenteve të Vatikanit mbi gjyqin e Galileo Galileit


(02.7.2009 RV)Sot paradite në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë u paraqit botimi i ri i dokumentave të Vatikanit mbi gjyqin e Galileo Galileit, përgatitur nga Imzot Serxho Pagano, Prefekt i Arkivit Sekret të Vatikanit.Një besnikëri e plotë ndaj akteve origjinale të procesit, një kriter rigoroz filologjik, një dokumentacion i ri, një hyrje e gjërë për çdo tekst, një bibligiografi e besueshme: këto janë disa nga tiparet e botimit 2009 të dokumentave të Procesit gjyqësor të Galileo Galileit, pas botimit të vitit 1984, që i parapriu prononcimit të Gjon Palit II mbi Galileun në 1992. E për të kompletuar duhet thënë se akoma më parë, ndërmjet 1877 e 1910 ka pasur edhe 4 botime tjera. Imzot Pagano e konsideron edicionin e ri, një “botim të plotë e të besueshëm” pikërisht sepse është skajshmërish besnik ndaj teksteve origjinale deri në respektimin e shkronjave të vogla e të mëdha. Kjo mënyrë e trajtimit dhe e botimit të hollësishëm e besnik të teksteve origjinale, për imzot Paganon ka më shumë rëndësi se sa të vësh dorë në tekste për të realizuar një botim më të lexueshëm e më të kuptueshëm se sa del nga origjinalet.
“Të gjitha dokumentet janë rilexuar sipas origjinalit që ka Arkivi Vatikanas, ai i Kongregatës për Doktrinën e Fesë dhe i Bibliotekës së Vatikanit”, shpjegoi Imzot Pagano. Botimi përmban aktet e vjetra si dhe 20 dokumente të gjetura pas vitit 1984. Bëhet fjala për një botim “të pajisur me shënime kritike, po kështu edhe me shënime historike apo biografike të personaliteteve të ndryshme të epokës”. Kjo sipas Imzot Paganos është një risi absolute në krahasim me të gjitha botimet e mëparshme të procesit gjyqësor që kanë filluar të botohen që në 1877. Libri është i pajisur edhe me një paraqitje të gjatë në të cilën Imzot Pagano analizon etapat që nga 1611 e deri 1633 të cilat çuan pastaj drejt procesit”. Gjithsesi çështja e Galileut mbetët një “faqe e dhimbshme” për Kishën, pohoi imzot Pagano.







All the contents on this site are copyrighted ©.