2009-07-02 19:28:25

Në ditën e katërt pas zgjedhjeve, në Shqipëri ende nuk ka një rezultat zyrtar


(02.72009 RV)Kutitë e fundit që përmbajnë votën e qytetarëve përcaktojnë formulën e ardhshme qeverisëse të Shqipërisë.Pra, në ditën e katërt pas zgjedhjeve të përgjithshme, në Shqipëri ende nuk ka një rezultat zyrtar, pasi kanë mbetur edhe pak qendra votimi pa u numëruar votat e zgjedhësve, ndërkohë që rezultati i deritanishëm është tepër i ngushtë, por në favor të koalicionit të djathtë të PD-së, i cili tashmë ka shprehur optimizmin se do ta qeverisë vendin edhe një tjetër mandat. Kështu kryeministri i Shqipërisë e kreu i PD-së Sali Berisha pohon se është gati qeveria e re e pre vetëm rezultatin përfundimtar.
“Unë e kam gati koalicionin për të formuar qeverinë e re, por jam duke pritur me shumë durim rezultatin final të zgjedhjeve për të cilin nuk kam asnjë ankesë”, sqaroi Berisha. Më tej Berisha akuzon liderin e PS-së Edi Rama për prishjen e procesit të numërimit dhe krijimin e revoltave popullore. “Emisarët e Edi Ramës dhe menaxherët e Koço Kokëdhimës donin të përcaktonin rezultatin në Fier. Ata kërkuan të numërohen kutitë në Fier dhe jo në Tiranë sepse kanë frikë nga rezultati i vërtetë”, u shpreh Berisha.
“Standardi i demokracisë sonë është i konsoliduar. Unë kërkova që simpatizantët e PD të largoheshin nga numërimi i qendrave, por komisionerët tanë u mbajtën peng nga socialistët. Komisionerët e Edi Ramës refuzuan të numërojnë 6 kuti në Kurbin, por ne nuk bëmë protesta, nuk dhunuam njeri”, përfundoi Berisha.
Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) i bëri thirrje të enjten dy partive kryesore në vend, PD dhe PS, që të presin me qetësi rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Duhet të tregohemi të përgjegjshëm në këto momente, pasi janë vërtetë të rëndësishme për vendin. Ne nuk duhet të lejojmë që vendi të zhytet në një krizë politike, pohoi Lëvizja Socialiste për Integrim.







All the contents on this site are copyrighted ©.