Më 1 korrik të vitit 1643 vdiq ipeshkvi imzot Frang Bardhi, shkrimtar i letërsisë
së vjetër shqiptare.
(01.7.2008 RV)Pra si sot, më 1 korrik të vitit 1643 vdiq ipeshkvi shqiptar
imzot Frang Bardhi, shkrimtar i letërsisë së vjetër shqiptare. Ai lindi në Kallmet
të Zadrimës në vitin 1606. Studioi në kolegjin kishtar të Loretos në Itali dhe në
atë të Propaganda Fides të Vatikanit në Romë. U emërua ipeshkëv në dioqezën e Sapës.
Krahas misionit e punës meshtarake e pastaj ipeshkvnore, imzot Frang Bardhi pati një
kujdes të veçantë për kultivimin e kulturës shqipe dhe përparimin e popullit shqiptar,
e kështu zhvilloi edhe veprimtari të dendura letrare dhe shoqëroro-politike.
U mor me përkthimin e veprave katekistike, liturgjike e fetare nga italishtja dhe
latinishtja në shqip për formimin shpirtëror të besimtarëve të krishterë. Po imzot
Frang Bardhi njihet edhe si leksikografi i parë shqiptar, si historian i folklorit
e si etnograf. Që kur ishte student në kolegj pat filluar të shkruajë në latinisht
vepra që më vonë e bënë të njohur. Disa prej tyre janë: "Fjalor latinisht-shqip",
e "Gjergj Kastrioti, Epirioti Skënderbeu". Në veprimtarinë e tij shoqëroro-politike
imzot Bardhi do të jetë në radhët e para të atdhetarëve që i përkushtohen luftës për
t'u çliruar nga zgjedha e huaj osmane, zhvillimit dhe përparimit të vendit e të gjuhës
shqipe. Gjendja e mjeruar e popullit shqiptar nën sundimin e egër osman,
dëshira e përpjekjet për ta ndihmuar atë që të shpëtonte nga kjo robëri, ishin shqetësime
që e mundonin vazhdimisht bariun shpirtëror imzot Bardhin. Kjo duket edhe në relacionet
që ai i dërgonte herë pas here Papës e Propaganda Fides. Ja si shprehet në
relacionin e vitit 1641 për rëndimet dhe poshtërimet që u bëheshin fshatarëve shqiptarë,
sidomos të krishterëve, nga arbitrariteti i feudalëve turq: "Dhjetë ose pesëmbëdhjetë
turq bashkohen dhe kalojnë nëpër shtëpitë e krishterëve dhe hanë e pinë sa të kenë
oreks, gjithë ditën gjithë natën pa paguar asgjë. Ai i shkreti nuk mund të thotë se
nuk ka bukë, verë, mish e tagji për kuajt e tyre, sepse ia përmbysin shtëpinë dhe
e rrahin egërsisht. Po nuk pati, duhet të lerë peng rrobat e trupit për të ngopur
lakmitë e tyre të mbrapshta …" Relacionet e imzot Frang Bardhit kanë edhe shumë
të dhëna të tjera për gjendjen shpirtërore të popullit shqiptar, për zakonet, traditën,
sfidat dhe perspektivat për një të ardhme në liri e begati.