2009-06-30 17:07:36

Jehonë e madhe në botë për fjalët e Papës mbi përmbajtjen e sarkofagut të Shën Palit. Intervistë me kardinalin Montexemolo


(30.06.2009 RV)RealAudioMP3 Besimtarët e të gjithë botës dëgjuan dje me emeocion të madh fjalët e Benediktit XVI mbi rezultatet e studimit shkencor brenda sarkofagut, që tradicionalisht mbahet si ai ku është varrosur Shën Pali Apostull, në Bazilikën e shenjtit jashtë Mureve. Ekzaminimi i pjesëve të kockave, që u morën prej tij konfirmoi se aty është pikërisht varri i Shën Palit dhe eshtrat brenda tij janë të Apostullit të Popujve. Sot, prof. Ulderiko Santamaria i Universitetit italian të Tushës, një nga ekspertët e studimit, theksoi se të dhënat për datimin e eshtrave, të ekzaminuara me metodën e karbonit 14, janë të pakundërshtueshme. Të dëgjojmë edhe kryepriftin e Bazilikës së rrugës Ostiense, kardinalin Andrea Kordero Lanxa di Montexemolo:
Rreth një vit e gjysëm më parë, Ati i Shenjtë autorizoi shpimin e një vrime fare të vogël për të hyrë me sondë e për të parë apo analizuar ç’kishte brenda. Kjo u bë në fshehtësi, me qëllim që të mos bëhej reklamë, para se të arrinin konfirmimet. Analiza me mikroskop konfirmoi se brenda sarkofagut kishte pëlhura të rëndësishme liri e veshje të purpurta të qëndisura me fill ari e se kishte edhe eshtra njerëzore. Falë sondës, u morën kampione shumë të vogla. Analiza me karbon 14, bërë nga një institut, që nuk e dinte se nga vinin kampionet, konfirmoi se kemi të bëjmë me një person që ka jetuar ndërmjet shekujve I e II. Përreth tij janë gjetur edhe grimca kemi. E gjithë kjo konfirmon se është një varr i rëndësishëm, i kohës së Shën Palit e duke pasur parasysh traditën historike, duket se ai është pikërisht vendi ku është varrosur Shën Pali. Tani do të bëhen punime të tjera, për të cilat duhet pasur shumë kujdes të mos prishen veprat e artit që ndodhen në Bazilikë. Gjatë vitit paolin, Papa nuk deshi që të punohet, për të mos penguar besimtarët. Do të shihet më vonë.
Hirësi, ç’rëndësi ka ky zbulim për fenë e për historinë e Bazilikës ostiense?
Është i rëndësishëm, sepse konfirmon traditën sipas së cilës, varri ndodhet aty që prej 20 shekujsh. Pavarësisht nga ç’ka ndodhur gjatë shekujve: fillimisht u ngrit një Bazilikë kostandiniane, pastaj një e dytë, pastaj një e tretë pas djegjes së vitit 1823, e të gjitha kanë pasur si pikë referimi varrin e Shën Palit, i cili ka qenë një varr i lashtë pagan. Këtu ishte një varrezë pagane me 5 mijë varre, që më pas u shndërrua në varrezë të krishterë e pastaj u mbulua krejtësisht për të ndërtuar Bazilikën dhe abacinë aktuale.
Në të ardhmen, a do të jetë e mundur që besimtarët të luten pranë varrit të Shën Palit, ose të shohin diçka?
Kemi bërë një vrimë mikroskopike për të hyrë me një sondë, por natyrisht njerëzit nuk mund të shohin këtë. Megjithatë, që prej një viti, kemi hapur murin, që është i shekullit V dhe rrethon krejt varrin. Kemi hapur një kalim e sot mund të shihet ana e sarkofagut të Shën Palit. Këtë e kemi bërë që para Vitit Paolin, për t’u mundësuar besimtarëve lutjen te varri i Apostullit.







All the contents on this site are copyrighted ©.