2009-06-29 19:08:05

Tension në Honduras pas grusht shtetit: Mikeleti në vend të Zelajës


(29.06.2009 RV)RealAudioMP3 Hondurasi në tension pas puçit të djeshëm ushtarak, me të cilin ushtria rrëzoi presidentin Manuel Zelaja për ta zëvendësuar me Roberto Mikeletin. Asnjëri prej shteteve të bashkësisë ndërkombëtare nuk e ka njohur presidentin e ri e madje puçi është dënuar ashpër nga të gjitha anët. Zelaja ndodhet aktualisht në Nikaragua, pas Kosta Rikës, ku u çua me forcë nga ushtarët. Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara është mbledhur sot për të shqyrtuar gjendjen e vështirë politike. Të dëgjojmë komentin e gazetarit të Radio Vatikanit, Luis Badila, ekspert i Amerikës Latine:
Është një histori e gjatë, e ndërlikuar, me shumë elemente tipike të Amerikës Qendrore. Kemi të bëjmë me një polarizim të jashtëzakonshëm politik, shpesh i denoncuar nga Kisha: nga njëra anë, presidenti Zelaja, sektorë të partisë së tij, një pjesë e rëndësishme e opinionit publik dhe, nga ana tjetër, krejt parlamenti, partitë politike, duke përfshirë edhe atë që qeveris vendin, Gjykata e Lartë, Kontolli i Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm dhe një pjesë tjetër e rëndësishme e opinion publik. Për çfarë janë në kontrast? Formalisht, qëllimi i Zelajës ishte të hartonte një kushtetutë të re, përmes thirrjes së një Asambleje kushtetuese, duke përdorur mjete në kufi me ligjshmërinë: ja pse kundërshtoi Gjykata e Lartë. Por, në të vërtetë, çështja kryesore ka të bëjë me frikën se mos presidenti rizgjidhej, duke manovruar e manipuluar ligjin kushtetues në fuqi.
Sipas jush, a mund të zgjidhet çështja me dialog, apo është një konflikt pa shpresë?
Jo, jo, aspak. E kanë thënë edhe ipeshkvijtë e Hondurasit në përfundim të Asamblesë së tyre të përgjithshme, por edhe Kisha të tjera të krishtera. Politikanë, intelektualë e personalitete të huaja, organizma ndërkombëtare patën kërkuar dialogun ndërmjet palëve, një zgjidhje në tryezën e bisedimeve. Edhe sepse, po të sqarohet çështja e rizgjedhjes – e presidenti Zelaja nuk ka qenë kurrë kategorik dhe transparent për këtë – problemi i reformës kushtetuese, apo i një kushtetute të re nuk do ta ndante vendin me dysh. Përkundrazi, në Honduras, nga shumë anë urohet që të modernizohet Kushtetuta, që mban datën 1982, vit në të cilin hyri demokracia në këtë vend, pas një periudhe të gjatë puçi ushtarak.







All the contents on this site are copyrighted ©.