2009-06-29 17:23:11

Benedikti XVI nënshkruan Enciklikën e tij të tretë “E vërteta me dashuri”. Njoftimi, në Engjëllin e Tënzot, pas Meshës së solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal.


(29.06.2009 RV)RealAudioMP3 Në solemnitetin e Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal, Benedikti XVI kryesoi, sot paradite, në Bazilikën e Vatikanit, kremtimin e Eukaristisë me disa kryeipeshkvij metropolitë, të cilëve u vuri mbi supe Palion e Shenjtë. Si çdo vit, në kremtim ishte i pranishëm një delegacion i Patriarkanës Ortodokse Ekumenike. Papa uroi që “nderimi i përbashkët i këtyre martirëve, të jetë peng për një bashkim gjithnjë më të plotë e më të ndjerë ndërmjet të krishterëve”. Pastaj, në lutjen e Engjëllit të Tënzot njoftoi se pikërisht sot, nënshkroi Enciklikën e tij të tretë, kushtuar temave shoqërore, që do të shohë së shpejti dritën e shtypit.

Enciklika titullohet “E vërteta me dashuri”. Është, pra, ftesë për ta thënë të vërtetën me dashuri. Papa shpjegoi se në të trajton tematikat shoqërore, që përmban ‘Populorum progressio’, shkruar nga shërbëtori i Zotit, Pali VI, në vitin 1967:
“Ka për qëllim të thellojë disa aspekte të zhvillimit të përgjithshëm në epokën tonë, parë në dritën e së vërtetës, të thënë me dashuri. Ia besoj lutjes suaj këtë kontribut të ri, që i jep Kisha njerëzimit, në përpjekjen e saj për progresin e qëndrueshëm, plot respekt për dinjitetin njerëzor dhe për kërkesat e njëmendta të të gjithëve”.
Duke kujtuar Vitin kushtuar Shën Palit, që përfundoi dje, e duke komentuar Letrën e parë të Shën Pjetrit Apostull, Benedikti XVI theksoi impenjimin e meshtarëve, lidhjen ndërmjet fesë e arsyes dhe nevojën e kujdesit për shpirtin, që nuk duhet harruar, në se presim shpëtim. Shën Pjetri e quan Krishtin ‘bari e rojtar të shpirtrave’ e Benedikti XVI shpjegoi kuptimin e fjalës ‘rojtar’ dhe vlerën që ka kjo fjalë në Vitin kushtuar meshtarëve:
Sigurisht nuk është fjala për mbikqyrje nga jashtë, siç do të bënte një roje burgu. Fjala është për një shikim nga lart – për shikimin që niset nga lartësia e Hyjit. Shikim në perspektivën e Hyjit e shikim me dashuri, me dëshirën për t’u vënë në shërbim të tjetrit, për ta ndihmuar të bëhet vërtetë vetvetja”.
Kështu u shpreh Papa e shtoi:
Kur shikon duke u nisur nga Zoti, krijohet vizioni i së tërës, shikohen rreziqet, por edhe shpresat e mundësitë”.
Në se Krishti është ipeshkvi i shpirtrave – shpjegoi Ati i Shenjtë – qëllimi është të shmanget rreziku i varfërimit të shpirtit të njeriut:
Jezusi, ipeshkvi i shpirtrave, është prototipi i çdo shërbimi ipeshkvnor e meshtarak. Në këtë perspektivë, të jesh ipeshkëv, të jesh meshtar, do të thotë të mbash qëndrimin e Jezusit. Të mendosh, të shikosh e të veprosh duke u nisur nga lartësia e Tij. E, duke u nisur nga Ai, të jesh i gatshëm për t’i shërbyer njerëzve, që të gjejnë jetën”.
Benedikti XVI u kërkon meshtarëve të jetojnë në përkim me atë që predikojnë:
“Nuk mjafton të flasësh. Barinjtë duhet të bëhen model për grigjën”.
Papa foli për fenë e krishterë, duke nënvizuar se feja ‘është shpresë, që hap rrugën drejt së ardhmes” E ripohoi me forcë lidhjen e ngushtë ndërmjet fesë e arsyes:
Feja buron nga Arsyeja e amshuar, që hyri në botën tonë e na dëftoi Hyjin e vërtetë. E tejkalon aftësinë e arsyes sonë, ashtu si dashuria e tejkalon mendjen. Por feja i flet arsyes e në ballafaqimin dialektik, mund t’i bëjë ballë arsyes”.
Më pas Papa kujtoi përsëri meshtarët:
“Si meshtarë të kohës sonë, e kemi për detyrë ta kuptojmë ne vetë të parët, arsyen e fesë. E kemi për detyrë të mos e lëmë të mbetet thjeshtë traditë, por të pranohet si përgjigje, që i jepet pyetjeve tona”.
Pasi pohoi se qëllimi i fesë së krishterë është shëlbimi i shpirtrave, Benedikti XVI theksoi disa nga rrezqiet e kohës sonë:
Në botën e ligjërimit e të mendimit të krishterimit të sotëm, ky është një pohim i çuditshëm, madje, për ndokend, edhe shkandullues. Fjalës ‘shpirt’ i ka dalë nami i keq
- tha Papa, e vërejti:
Është më se e vërtetë se moskokëçarja për shpirtrat, varfërimi shpirtëror i njeriut, nuk shkatërron vetëm individin, por kërcënon fatet e njerëzimit në tërësinë e tij. Pa shërimin e shpirtrave, pa shërimin e njeriut, duke u nisur nga shpirti i tij, nuk mund të ketë kurrfarë shpëtimi për njerëzimin!”.
Sëmundjen e vërtetë të shpirtrave Shën Pjetri e cilëson si padije – dmth si mosnjohje e Hyjit. E ai, që nuk e njeh Hyjin, ai që, së paku, nuk e kërkon çiltërsisht, mbetet jashtë jetës së vërtetë” – theksoi Papa.
Përsa i përket temës së shëlbimit të shpirtrave, Benedikti XVI nënvizoi se “është bindja ndaj së vërtetës ajo, që e bën të pastër shpirtin e njeriut”.

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë foli për ‘peshkatarin e Galilesë, Shën Pjetrin, i pari që e dëshmoi fenë në Krishtin” dhe për ‘salvuesin e të krishterëve, Shën Palin, që më pas kumtoi shëlbimin e mbarë njerëzimit”. Pastaj , duke u drejtuar fjalën besimtarëve romakë, si bari i grigjës, porositi:
“Si bariu juaj, ju nxis t’i qëndroni besnikë fesë së krishterë e të mos i përshtateni mendësisë së kësaj bote - siç u shkruante Apostulli i Popujve pikërisht të krishterëve të Romës - por të shndërroheni e të përtëriheni vazhdimisht nga Ungjilli, për të ecur në rrugën, që është vërtetë e mirë, në rrugën, që i pëlqen Zotit”.
E duke vijuar t’i drejtohet posaçërisht bashkësisë dioqezane të Romës, Benedikti XVI kujtoi se Provania hyjnore ia besoi pikërisht kujdesit të tij e u lut që Roma ta mbajë të gjallë traditën e vet të krishterë, duke ruajtur trashëgiminë shpirtërore dhe pasurinë kulturore e duke krijuar përherë një atmosferë plot me dashuri për njeriun e për vlerat ungjillore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.