2009-06-28 20:02:41

U zhvilluan sot zgjedhjet në Shqipëri


(28.06.09 RV)RealAudioMP3 Përfunduan në Shqipëri zgjedhjet parlamentare, të cilat përveç caktimit të 140 deputetëve, ishin edhe një provë për aftësinë e Tiranës që të arrijë standartet evropiane, të mbetura në letër në votimet e mëparshme. Nëse ka diçka që i bashkon dy koalicionet kryesore në garë, Aleancën e Ndryshimit të Sali Berishës dhe Bashkimin për Ndryshim të Edi Ramës, është pikërisht fjala “ndryshim”, si për të treguar nevojën e një rinovimi politik thelbësor, në panoramën e partive shqiptare.
500 vëzhgues të huaj e 3 mijë vendorë, sëbashku me 5.500 policë në terren, nuk mundën të shmangnin krejtësisht incidentet, që nga përdorimi i mikrokamerave dhe llambave me ndriçim ultraviolet tek braktisja e kutive të votimit dhe bllokimi i rrugës në 4 fshatra në Fier e Tepelenë. Vetëm probleme sporadike, deklaroi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Natyrisht për rezultatet zyrtare duhet të presim, por të provojmë ta shohim gjendjen e Shqipërisë me sytë e botës. Të dëgjojmë analistin italian të Qendrës së Studimeve të Ministrisë së Mbrotjes, Paolo Kuerça:
Është një situatë, që paraqet një sërë elementesh paqëndrueshmërie, sidomos zgjedhore, në krahasim me të kaluarën. Nëse kujtojmë Shqipërinë e fundit të viteve ’90 ose edhe të disa vjetëve me parë, sot gjejmë një vend më të mirë, më të qëndrueshëm për standartet e rajonit. Por ka ngadalësime në planin ekonomik. Rritja e vrullshme e ekonomisë gjatë viteve të kaluara është ngadalësuar për shkak të krizës ekonomike.
A ka rrezik tensioni pas zgjedhjeve?
Kujtojmë se Shqipëria mban një rekord shqetësues për mospranimin e rezultatit të votimeve nga ana e të humburve. Në çaste të caktuara historike, kjo ka sjellë kriza të ndryshme në vend.
Evropa ka qenë tema mbizotëruese e krejt fushatës zgjedhore…
Pas fundit të komunizmit, Bashkimi Evropian u kthye në një lloj pike referimi. Tani Shqipëria e ka arritur me meritë objektivin e pjesëmarrjes në NATO, prandaj Bashkimi Evropian mbetet ëndërra më e madhe, si për zhvillimin ekonomik të vendit, ashtu edhe për t’u garantuar qytetarëve mundësi më të mëdha për qarkullim. Por ky objektiv politik, që dëshirohet e mbrohet aktualisht me flamur, nuk është akoma i arritshëm, po të kemi parasysh standartet e Shqipërisë.
Si konsiderohet vendi nga ana e Brukselit, a është partner i besueshëm?
Mbi disa çështje me natyrë doganore apo fiskale, Bashkimi Evropian ka prirjen ta mbajë Shqipërinë në një lloj “liste të zezë”, si vend që nuk përmbush kërkesat. Por, në përgjithësi, konsiderohet si partnere e besueshme, me një rrugë akoma të gjatë për integrimin e plotë. Natyrisht, shpejtësia e përshkimit të kësaj rrugë është e rëndësishme edhe për Bashkimin Evropian. Prandaj, të themi, porta është e hapur. Edhe investimet e shumta të Italisë, për shembull, në sektorin energjitik, janë një sinjal i mirë për nivelin e besueshmërisë së vendit. Por hapat janë të vogla.







All the contents on this site are copyrighted ©.