2009-06-28 20:05:38

Solemniteti i Shën Pjetrit e Shën Palit: Benedikti XVI do t’u vendosë palion e shenjtë 34 kryeipeshkvijve.


(28.06.2009 RV)Nesër, në orën 9.30, Papa do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit, Meshën Shenjte në Solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal, Pajtorë të Qytetit të Amshuar. Me të do të bashkëkremtojnë 34 kryeipeshkvijtë e rinj metropolitë, të cilëve Benedikti XVI do t’u vendosë mbi supe palion e shenjtë, stolë prej leshi të bardhë, simbol i pushtetit ipeshkvnor, ushtruar në bashkim të plotë me Kishën e Romës. Festa e nesërme u krijon të gjithë besimtarëve mundësinë të reflektojnë mbi dëshminë që dhanë dy personalitetet e mëdha të Kishës, dy Apostujt.
Shën Pjetri - "Shkëmbi", dhe Shën Pali "Mjeti i zgjedhur nga Zoti", të nisur nga viset e largëta të lindjes në një shtegtim misterioz feje e dashurie, pasi përshkuan troje të huaja e të panjohura, u takuan në Romë për një mision të përbashkët, për të predikuar Krishtin, të vetmin shëlbues të botës. Për Të ata do të derdhnin edhe gjakun pikërisht këtu, duke i skalitur përgjithnjë emrat e tyre në historinë e Romës së krishterë. Shtegtimi i tyre është model i shtegtimit simbolik që është i thirrur të bëjë çdo i krishterë për ta kumtuar Krishtin nëpër botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.