2009-06-28 20:02:17

Editoriali i atë Federiko Lombardit: “Rezerva dashurie”


(28.06.09 RV)RealAudioMP3 Çdo i krishterë e di se vuajtja mund dhe duhet të kthehet në dashuri. Edhe gjatë vizitës së fundit të Benediktit XVI në San Gjovani Rotondo, patëm një provë të kësaj dashurie, përmes dëshmisë së një gruaje të sëmurë me tumor. Pikërisht nga historia e saj e nga mënyra e jashtëzakonshme me të cilën kjo grua e ka lënë veten në dorën e Zotit, frymëzohet drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi për komentin e kësaj së diele:
Udhëtimet e Papës nuk janë të rëndësishme vetëm për atë që thotë e bën Papa, por edhe për ndjenjat e fjalët që ngjallin. Dëshmia e Anës, e sëmurë me tumor, para Papës, te porta e Shtëpisë së Lehtësimit të Vuajtjes është një çast që s’mund të harrohet.
“Nuk e pyeta veten “Pse mua?”, por e pyeta “Pse jo mua?”, “O Zot ç’plan ke ti për mua?”, e atëherë – ashtu si Virgjëra e shumë njerëz të tjerë të denjë e të shenjtë – nuk u zemërova, por thashë: “Ja, jam gati”. Si ta presësh vdekjen, duke jetuar ditët që të mbeten, në mënyrë që t’i ofrosh diçka të mirë Zotit? Nuk është kurrë shumë vonë për të hyrë e për të punuar në vreshtën e tij, për t’ia kushtuar jetën së mirës, edhe vetëm me anë të mirësisë së fjalëve e të veprave të vogla. Ana vazhdon duke na u drejtuar edhe ne: “Mos na lini vetëm me mendimet tona, me frikën tonë, e kur s’keni asgjë për të thënë, mos u shqetësoni, mjafton të na merrni për dore, e ne do ta ndjejmë kush jeni”. E përfundon: “Është e vërtetë, diagnosa e tumorit është e tmerrshme, të shtie frikën, por edhe më e tmerrshme është të mos jesh mik me Hyjin, të largohesh prej dashurisë së tij”. Atëherë e kuptojmë se vuajtja mund të bëhet thesar i madh; kuptojmë se na përfshin të gjithëve, kuptojmë ç’donte të thoshte Atë Pio kur – siç e kujtoi Papa – thoshte se “të sëmurët, mjekët, meshtarët, duhet të bëhen “rezerva dashurie”, e sa më të mëdha të jenë, aq më shumë do të mund t’u komunikohen të tjerëve”. Jo vetëm në San Gjovani Rotondo, por në të gjithë botën, çdo vuajtje, para fytyrës së vuajtur të Krishtit, duhet të kthehet në dashuri.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.