2009-06-27 16:18:19

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 13-të gjatë vitit ‘B’


(27.6.2009 RV)RealAudioMP3 Zoti ynë është një Zot dashurues i jetës. Jo pronar e sundues, por një i dashuruar i jetës. Ja përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 13-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.
Kjo e diele i këndon jetës që Zoti na ka dhuruar e Ai nuk e do vdekjen tonë, na thotë leximi i parë i kësaj së diele nga libri i Urtisë . Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na fton të reflektojmë mbi kufizimet e jetës njerëzore dhe mbi përvojën e takimit tonë me Krishtin e me fjalën e tij si burim jete: “Fjalët tua, o Zot, janë shpirt e jetë”, ky pohim mund të jetë tema e përmbledhja e kremtimit të Fjalës së Zotit të dielës së 13-të .
Leximet biblike të Meshës së dielës kësaj here përqendrohen mbi kuptimin e jetës, e këndej të vdekjes në dritën e fesë duke na ftuar të reflektojmë e zbulojmë bukurinë e kuptimin e vërtetë të ekzistencës. Pra Leximi i parë nga Libri i Urtisë (Urt 1,13-15; 2, 23-24) flet mbi pavdekshmërinë e pjesa e Ungjillit mbi ringjalljen (Ungjilli Mk 5,21-43), leximi i dytë nga Letra e dytë e Shën Palit drejtuar Korintianëve (2Kor 8,7.9.13-15) flet mbi solidaritetin, bujarinë dhe ndarjen vëllazërore me të varfërit e të mirave shpirtërore e materiale, si shenjë dalluese e jetës një jete vërtetë të krishterë.
Pjesa e Ungjillit e kësaj së diele, tregon dy përvoja feje. E para tregon për gruan e sëmurë prej 12 vjetësh, feja e saj është gati besëtytni. Gruaja mendon: më mjafton ta preki petkun e tij. Nuk ka rëndësi nëse nuk mund të bisedoj, të jem sy më sy, thua sikur manteli të ishte hajmali, e relacioni ndërmjet së prekurish e shërimit të ishte diçka automatike e menjëhershme. Në kornizën e dytë të Ungjillit kemi babain që e përjeton fenë e tij; e bija nuk flet, nuk e di, është objekt di dashurisë, jo subjekt i fesë. Është e dashur, e kaq mjafton. Janë eksperienca të fesë së papërsosur, e fesë parciale, e megjithatë Hyjit i mjafton. Jezusi hyn në jetën tonë për të na kthyer e ri-dhënë jetën, jetën që e mposht vdekjen e ngadhënjen në Amshim.
Kështu nga tregimet e ungjillit, Jezusi dëftohet si Zotëria i jetës pasi që Ai e ka pushtetin për ta falur përsëri jetën e për ta përforcuar. “Shenjat” që ai bën janë paralajmërim i ringjalljes së ardhshme, pjesëmarrja në jetën e të Ngjallurit, premtuar të gjithë atyre që besojnë në të.
Jezusi, duke shikuar plot përdëllim sëmundjen dhe vdekjen e njeriut, përmes shenjës që paralajmëron ngjalljen e tij dhe ringjalljen tonë, Ai dëftohet e tregohet si Zotëria i jetës. Ashtu sikur Jezusi, edhe ne duhet t’i japim dorën të gjithë atyre që gjendën në situata vështirësie, ligështie, dhimbjeje apo vdekjeje, për ti ndihmuar e ndërtuar së bashku një jetë dhe botë të re.
Leximi i parë marrë nga Libri i Urtisë pohon se “Vdekja hyri në botë prej smirës së djallit” .Njeriu mëkatar e bën përvojën e vdekjes. Por Zoti nuk heq dorë nga projekti i tij fillestar i njeriut të krijuar për pavdekshmëri e këtë e realizon duke dërguar Birin e vet, i cili përmes vdekjes i dhuron jetën të gjithë atyre që besojnë në të.
Psalmisti këtë të diele klithë: “Të madhëroj, o Zot, pse më lirove” . Psalmi (Ps 30 (29) është një këngë falënderimi e mirënjohjeje për shpëtimin, të cilit i referohet në shumë mënyra e në forma të ndryshme, antitezë vdekje-jetë. Psalmisti i përkujton Zotit se mund ta lavdëroj e madhëroj vetëm nëse kthehet në jetë, pra vetëm nëse Zoti e mban atë në jetë.
Leximi i dytë pohon :”Çka ju keni më tepër, me begati, të plotësojë atë çka të varfëve u mungon” . Shkëmbimi i të mirave në bashkësi e ndërmjet bashkësive të ndryshme bëhet shenjë vëllazërimi e bashkimi në fenë e Jezusit Zot. Kështu realizohet vullneti i Zoti që në provaninë e tij, me bujari i ka shpërndarë të mirat e veta hyjnore në botën e gjithësinë që ka krijuar, në mënyrë që të gjithë të kenë bukën dhe ushqimin e domosdoshëm për jetesë. Mos t’u japësh vëllezërve e të afërmve të tu atë çka ke më tepër, është në kundërshtim me vullnetin e Zotit.
Pjesa Ungjillore nga Marku na tregon për dy mrekullira. Jezusi e shëron gruan që vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe ringjall vajzën e kryetarit të singagogës. Kështu Ai dëftohet se është Zotëria i jetës e se fati i jetës sonë njerëzore është në dorën e tij Hyjnore. Të dy mrekullitë kanë një element të përbashkët që vlen edhe për ne: fenë në Krishtin Zot.
I thirrur të shkruante një kujtim, me rastin e kushteve të përjetshme rregulltare, i lumi Giacinto Cormier o.p. shënoi këtë fjali: “ Kryqi pa Jezusin? Është i padurueshëm. Jezusi pa kryq? Është pakuptueshëm. Jezusi e kryqi të përqafuar e të pranuar me fe: kjo është zgjidhja e çdo gjëje”. E tani ti dëgjojmë së bashku leximet biblike e ta pranojmë porosinë që Zoti na drejton këtë javë.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.