Më 26 qershor kalendari kishtar kremton Shenjtin Hosemaria Eskriva de Balager, meshtar,
themelues i Opus Dei.
(26.06.2009 RV)Hosemaria Eskriva lindi në Barbastro të Spanjës më 9 janar 1902,
studioi në Seminarin e Longronos e të Saragozës, ku u diplomua në teologji e drejtësi,
në sa më 28 mars 1925 u shugurua meshtar. Më 1927 u transferua në Madrid, ku punoi
pa pushim në të gjitha mjediset, duke iu kushtuar të varfërve, të sëmurëve, të braktisurve.
Më 2 tetorin e vitit 1928, Escriva pa në vegim veprën që priste të realizohej
prej tij. Ishte festa e Engjëjve të Rojës. Don Hosemaria nuk do ta harronte kurrë
tingëllimin e këmbanave, që dëgjoi atë ditë! Mishel Doc, teologu të cilit iu besua
nga Opus Dei hartimi i biografisë, që iu dorëzua pjesëmarrësve në ceremoninë e shenjtërimit
të tij, së bashku me doracakun e shtegtarit, rikujton me këto fjalë, atë që ngjau
atë 2 tetor, datë që do të shënonte një kthesë vendimtare në jetën e Escriva De Balaguer
dhe të qindra njerëzve. “Më 2 tetor, pas Meshe, don Hosemaria u kthye në dhomën
ku banonte dhe nisi të vinte në rregull shënimet e tij, vendimet, propozimet…E ndërsa
shkruante, papritmas pa qartë vullnetin e Zotit. Më vonë, kur do të fliste për këtë
çast, do të përdorte gjithnjë foljen "pashë" lidhur me këtë ndërhyrje të mbinatyrshme:
ishte një vegim intelektual i Opus Dei-t, ashtu siç e dëshironte Zoti e si do të ishte
në rrjedhë shekujsh”. Në dritën e Zotit - shkruhet në biografinë e tij - pa njerëz
të çdo race, të çdo moshe e kulture që e kërkojnë e gjejnë Zotin, në sa jetojnë të
përditshmen e tyre në punë, në familje, në miqësitë, në kënaqësitë e orës kur çlodhen
nga telashet e përditshme. E kërkojnë Jezusin për ta dashur e për të jetuar jetën
e Tij hyjnore, derisa të lëshohen plotësisht në duart e tij e të bëhen shenjtorë:
shenjtorë të botës! Vegim tronditës, në të cilin shihen të krishterë të zakonshëm,
laikë që bëhen apostuj, që e shndërrojnë botën, pa u shkëputur për asnjë çast prej
saj!Ndërsa vijonte vegimi e Hosemaria kishte rënë në gjunjë, i prekur thellë në shpirt,
nisën të tingëllojnë këmbanat e Kishës së Zonjës së Engjëjve për të festuar Lajmëtarët
qiellorë. Kumbonin në një mënyrë aq të mrekullueshme, sa të mbeteshin përjetë në kujtesën
e meshtarit. "Kisha 26 vjeç, hirin e Zotit e humor të mirë. Vetëm kaq. E më duhej
të themeloja Opus Dei-n" - kujtonte më vonë meshtari, i cili vdiq më 26 qershor 1975,
u varros në Kishën e Shën Marisë së paqes në Romë; u shpall i lum më 17 maj 1992 e
u shenjtërua më 6 tetor 2002, gjatë një kremtimi solemn, kryesuar nga Gjon Pali II
në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e më se 300 mijë besimtarëve nga mbarë bota.