Kisha universale pranë të krishterëve të Tokës Shenjte: reflektim i imzot Frankos.
(26.06.2009 RV)Kisha e mbarë botës është pranë të krishterëve të Tokës Shenjte.
Këtë e përsëriti edhe Papa dje, në audiencën me pjesëmarrësit në takimin e Roako-s.
E ky solidaritet ndjehet fort në të gjithë zonën, ku të krishterët vijojnë të përballojnë
vështirësi e të kapërcejnë pengesa të përditshme, siç e tregon edhe nunci apostolik
në Izrael, kryeipeshkvi Antonio Franko, në mikrofonin e Radio Vatikanit:
Përgjigje:
- Në Izrael situata, ndonëse me vështirësitë e veta, është më e mirë. Në
Izrael gjendet punë, të krishterët mund të punojnë; e duke punuar, mund të ndërtojnë
një jetë më të mirë, pavarësisht nga kufizimet e shtrëngimet. Tani nis të shtrohet
problemi si ta afirmojnë identitetin e tyre. Për mendimin tim, theksi duhet vënë
mbi formimin, sepse bindja e thellë personale, të shtyn të veprosh në përkim me fenë
tënde e ta dëshmosh këtë fe. Përsa u përket territoreve palestineze, ka edhe probleme
të natyrës më njerëzore, më praktike. Por gjëja më e rëndësishme mbetet gjithnjë puna,
mbetet fitimi i bukës së përditshme.
Pyetje: - E dimë se puna gjendet
shpesh përtej murit e se nganjëherë nuk është e lehtë të arrihet në vendin e punës…
Përgjigje:
- Shumë shkojnë të punojnë në Izrael, ku ka emigracion, edhe të paligjshëm
e, prej këndej, edhe shfrytëzim në punë. Palestinezët i përkasin pikërisht kësaj kategorie.
Pyetje:
- Ç’mund të bëhet konkretisht, duke pasur parasysh projektet e Roako-së?
Përgjigje:
- Roako bën shumë. Këto shoqata të ndryshme, këto organizata të ndryshme,
ndihmojnë për realizimin e projekteve në Tokën Shenjte e besoj se duhet marrë guximi
që të realizohen ato projekte, që mund ta ndihmojnë më shumë Kishën në tërësi si dhe
nismat e saj në favor të këtyre popullsive.