2009-06-26 19:25:24

Dita ndërkombëtare kundër abuzimit dhe trafikut të narkotikëve


(26.06.2009 RV)RealAudioMP3 Kremtohet sot Dita ndërkombëtare kundër abuzimit dhe trafikut të narkotikëve. Droga mbetet një nga problemet më të mëdha shoqërore në nivel botëror, megjithëse raporti i OKB-së 2009 vë në dukje se konsumi i saj është në rënie. Por është në rritje në vendet që kanë dalë nga komunizmi në Evropën Lindore, të cilat janë bërë edhe prodhuese të saj, ose shërbejnë si tranzit për ta kaluar atë në Evropë e më gjerë, siç është rasti i Shqipërisë. E ulet gjithnjë e më shumë mosha e personave që i afrohen drogës për herë të parë, dikush për kuriozitet, dikush i shtyrë nga shokët e dikush për ndonjë motiv tjetër, nën të cilin fshihen nevoja më të rëndësishme të adoleshentëve. Pavarësisht se thuhet shpesh se efektet e drogës janë shkatërruese për organizmin, duket se të rinjtë nuk e kuptojnë rrezikun. Pyetëm një punonjës shkencor në Institutin e Psikiatrisë së Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit në Romë, dr. Federiko Tonioli:
(Efektet) varen nga droga. Aktualisht mund t’i ndajmë – pak si artificialisht – narkotikët në dy ose tri grupe kryesore. Ekzistojnë narkotikë të ashtuquajtur “marramendës”, si LSD-ja ose për shembull ketamina, por sëbashku me to ka hyrë edhe një tjetër e re në fushën e drogës: në të vërtetë është një ilaç, që përdoret për anestezi në veterinari, i cili po të merret në doza të mëdha mund të japë haluçinacione shumë të forta. Pastaj ekzistojnë droga psikostimulante, që janë tepër në modë – si anfetaminat e kokaina – e droga më sedative e kontemplative, si kanabis dhe opiumet.
Përveç problemeve psikologjike ekzistojnë edhe probleme ambientale, që e çojnë njeriun drejt përdorimit të drogës. A kanë ndryshuar ato në krahasim me 20 apo 30 vjet më parë, apo janë të njëjta?
Do të thosha se jo. Sot, panorama shoqërore ka ndryshuar jashtëzakonisht: që nga vitet ’70 e deri në kohët tona është zhvilluar një revolucion i vërtetë multimediatik, prandaj edhe mënyra për të hyrë në marrëdhënie me të tjerët ka ndryshuar thellë, ajo që ekzistonte më parë, tani nuk ekziston më. Jetojmë ndoshta në një epokë kontrolli të tepruar shoqëror, për shkak të mjeteve të komunikimit, për shkak se kemi hyrë në një botë multimediatike.
Në planin ndërkombëtar, a ekzistojnë linja të përbashkëta për kthimin e të droguarve në jetën e mëparshme, apo çdo vend ka politikën e vet?
Në teori po, megjithëse ato varen nga ambienti. Në të vërtetë linjat udhëheqëse janë shumë teorike e pak praktike. Në praktikë, ata që merren me të droguarit e dinë mirë se gjithçka varet nga marrëdhëniet personale që operatori – qoftë psikolog, qoftë i ndonjë bashkësie, apo psikiatër – arrin të krijojë me ta. Vështirësia në punën tonë qëndron në aftësinë për të mbijetuar pas marrëdhënieve të këtij lloji, pasi është e qartë se nëse marrëdhëniet japin fryt do të thotë që janë kthyer në marrëdhënie miqësie. Ne lidhemi kështu me pacientët, por janë persona që mund të humbin jetën nga një çast në tjetrin e kjo për ne është e vështirë për t’u kapërcyer. Ekziston rreziku që të mos besojmë më në punën tonë, gjë që natyrisht përpiqemi ta shmangim me të gjitha mënyrat.







All the contents on this site are copyrighted ©.