2009-06-26 19:25:00

Deklarata e G8-ës me gjashtë pika. Dënohet Irani


(26.06.2009 RV)Ndërsa gjendja në Iran mbetet e nderë, ministrat e jashtëm të G8-ës, të mbledhur në Trieshte të Italisë dolën sot me një deklaratë ku përmendet edhe Republika Islamike, e pështjelluar nga protestat e manifestimet, pas zgjedhjeve presidenciale, në të cilat fitoi me manipulime, Mahmud Ahmadinexhad.
Janë gjashtë, pikat kryesore të deklaratës: Irani, mospërhapja e armëve të shkatërrimit në masë, pirateria, Afrika, Lindja e Mesme dhe Koreja e Veriut. Ministrat shprehen të shqetësuar për gjendjen në Iran, të cilit i respektojnë sovranitetin, por i dënojnë rëndë dhunën pas zgjedhjeve, që çoi në humbjen e jetëve njerëzore. Ministrat shprehin solidaritetin me viktimat dhe e ftojnë Teheranin të respektojë të drejtat e njeriut, duke përfshirë lirinë e shprehjes. Kriza, sipas ministrave, duhet të zgjidhet me dialog demokratik e me mjete paqësore dhe, qeveria duhet të garantojë respektimin e vullnetit të popullit. Krerët e politikës së jashtme të G8-ës i njohin Iranit të drejtën për të përdorur energjinë bërthamore me qëllime civile, por theksojnë se Teherani duhet të japë prova besueshmërie se nuk do të krijojë armë atomike.
E përsa i përket armëve, një pikë tjetër e rëndësishme e deklaratës i kushtohet pikërisht mospërhapjes së armëve të shkatërrimit në masë. Ministrat impenjohen për të zhvilluar me sukses Konferencën e revizionit të Traktatit përkatës, e cila do të mbahet në vitin 2010, dhe për të krijuar kushtet që bota të mos ketë armë bërthamore.
Në mbledhjen e Trieshtes u fol edhe për piraterinë, e cila është shtuar sidomos në gjirin e Adenit dhe në brigjet lindore të Afrikës në përgjithësi. Përveç ndihmës për shtetet përkatëse që të formojnë Rojen e tyre të kufirit detar, ministrat vënë theksin mbi nevojën e luftimit të shkaqeve të vërteta, që çojnë drejt piraterisë dhe kërkojnë një impenjim ndërkombëtar për këtë çështje.
Kësaj do t’i shërbejë edhe ndryshimi i sjelljes ndaj Afrikës si kontinent. Ministrat e jashtëm të G8-ës nënvizuan se ka ikur koha e binomit donatorë perëndimorë – përfitues të ndihmave afrikanë. Kontinenti është aktor politik në zgjidhjen e problemeve globale.
Dënimi kundër Koresë së Veriut dhe i provave të saj bërthamore qe i njëzëshëm. G8-a e politikës së jashtme i kërkon Piong-jangut të respektojë detyrimet që rrjedhin nga rezolutat e OKB-së, të mos kryejë veprime destabilizuese dhe të rimarrë pjesë në bisedimet e grupit të gjashtëshes.
Përsa i përket Lindjes së Mesme, ministrat sqaruan se mbështesin plotësisht krijimin e dy shteteve të pavarura e demokratike, që jetojnë në paqe me njëri-tjetrin. Ata u kërkuan si izraelitëve, ashtu edhe palestinezëve të respektojnë detyrimet e procesit të paqes, përfshirë pezullimin e zgjerimit të ngulimeve hebraike e luftën kundër dhunës e terrorizmit.








All the contents on this site are copyrighted ©.