2009-06-26 17:57:06

Bilanc i Vitit kushtuar Shën Palit në Sallën vatikanase të Shtypit: Sukses i madh; duhet të vijojë në Kishat e botës.


(2606.2006 RV)Dhjetëmijë shtegtarë në ditë, vetëm gjatë javëve të fundit. E pastaj, për këtë sukses të përgjithshëm, duhet kujtuar kontributi i shquar i katekizmave të Benediktit XVI, të cilin kardinali Kordero Lanca di Montexemolo e quajti ‘Doktori i madh i Kishës”. Ishte pikërisht kryeprifti i Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve të Romës ai, që paraqiti sot paradite, në një takim të shkurtër pranë Sallës së Shtypit të Vatikanit, bilancin e Vitit kushtuar Shën Palit, në prag të përfundimit. Kremtimet përfundimtare do t’i kryesojë Papa të hënën e ardhshme, në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve, duke kremtuar Lutjet e para Mbrëmësore në solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit.
Viti, sipas bilancit të kardinalit Montexemolo, filloi disi ftohtë. Nismat për kremtimin e dymijëvjetorit të lindjes së Apostullit të Popujve nuk u konceptuan me atë shpejtësi, që uronte Papa. Pastaj, dalngadalë, interesimi erdhi duke u rritur në mbarë botën aq, sa turma prej mijëra vetësh nisën të shtegtojnë në drejtim të Bazilikës romake të Apostullit, për të rizbuluar Shën Palin, posaçërisht në këndvështrimin ekumenik. Këtë theksoi Kryeprifti i bazilikës paoline në Romë, duke kujtuar edhe zanafillën e këtij kremtimi:
“Një Vit kushtuar Shën Palit kremtohet për herë të parë në histori. Kur ia propozova Papës, pata idenë t’i thosha: “të bëjmë një vit shenjt”. Por Papa më korrigjoi menjëherë: “Jo një vit shenjt – më tha - por një vit tematik”. E më shpjegoi edhe arsyet: njohjen më të thelluar të Shën Palit, që është kumtuesi më i madh i doktrinës katolike, por që njihet pak e keq ose që interpretohet keq. E mund të them se ky Vit kushtuar Shenjtit, e vuri vërtetë në qendër të vëmendjes e pati një sukses tejet të madh”.
Lutje e liturgji, studim e libra, por edhe kinema, muzikë e teatër: këto ishin veprimtaritë kryesore të Vitit kushtuar Shën Palit në gjithë botën. E pikërisht me botën lidhet edhe urimi përfundimtar i kardinalit Montexemeolo i cili, pasi iu përgjigj një pyetjeje të gazetarëve për mundësinë e një kontrolli të ri të sarkofagut, duke mohuar hamendjen e kontrollit me telekamera brenda monumentit, ku pushojnë reliket e Shenjtit, theksoi:
Viti kushtuar Shën Palit përfundon, por përfitimet shpirtërore që pati mbarë bota e shndërrimet që solli, nuk duhet të përfundojnë. Duhet të vijojë zelli për nisma të reja baritore, katekizëm, veprimtari kulturore, në të gjitha kontinentet, për dobinë fetare të besimtarëve e për të bërë hapa të reja në rrugën e pakthyeshme drejt bashkimit të të gjithë të krishterëve".







All the contents on this site are copyrighted ©.