Në Iran vazhdojnë protestat. Presione mbi Musavin që të tërhiqet.
(25.06.2009 RV)Protestat e djeshme
në Iran u karakterizuan nga dhuna e pafré. Disa demonstrues bënë të njohur nëpërmjet
internetit se policia përsëri shtiu me armë ndaj tyre dhe se ka pasur të vdekur. Po
ashtu dëshmitarë okularë thanë se kanë parë policinë fetare basixhi duke hedhur nga
ura disa protestues. Nga ana tjetër Musavi, përfaqësuesi i opozitës denoncoi në
sitin internet të gazetës së tij “Kalemeh”, faktin se mbi të janë ushtruar presione
për të braktisur kërkesën për anullim të zgjedhjeve. “Ka pasur manipulime të ndejshme
dhe jam i gatshëm të provoj se ata që kanë manipuluar votimet janë po ata që janë
përgjegjës për masakrat. Vazhdimi i protestave të qeta dhe duke respektuar ligjin
do të bëjë që ne të arrijmë qëllimin tonë.” vijon Musavi. “Nuk do të tërhiqem nga
frika apo kërcënimet përballë detyrës sime që t’u garantojë iranianëve të drejtat”
- përfundon deklarata e Musavi në internet. Nga ana tjetër e gjithë bashkësia ndërkombëtare
vazhdon të shprehë shqetësim për dhunën që po ushtrohet kundër protestuesve në vend.
Kështu kryetari i Asamblesë së Strasburgut Hans Gert Potering i dorëzoi një notë proteste
ambasadorit iranian në Bruksel Ali Asghar Kaxhi, në cilën thuhet se parlamenti evropian
proteston dhe dënon ashpër shtypjen e manifestimeve nga ana e autoriteteve iraniane.
Gjithashtu Potering i kërkoi formalisht ambasadorit iranian që një delegacion i BE
të vizitojë vendin sa më parë që të jetë e mundur. Ndërsa kanali televiziv Al Xhazira
tha se Ahmadinexhad, i cili doli fitues nga votimet e fundit, i kërkoi presidentit
amerikan Barak Obama që të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Iranit. “Barak Obama
është si Bush. Pretendoj që Shtetet e Bashkuara të më kërkojnë të falur” – tha Ahmadinexhad. Por
protestat e këtyre ditëve gjetën të papërgatitur edhe shumë specialistë të kësaj
zone. Pyetja që bëjnë të gjithë është se kush janë këta persona që dalin në shesh.
Le të dëgjojmë Antonelo Saketi, specialist i Iranit dhe autor i disa botimeve mbi
këtë republikë islamike:
Përgjigje: Besoj se këta janë ata që kanë votuar për
Musavin e që duhet të jenë më shumë se 32% siç thonë të dhënat zyrtare të votimeve.
Janë persona që i përkasin disa shtresave të caktuara, mbi të gjitha qytetarë. Shumë
prej tyre janë nga Teherani verior, domethënë nga zona më e kamur e qytetit dhe njëkohësisht
më e arsimuara, e cila ka një stil jete shumë të ndryshëm nga ai që kanë ata që votuan
për Ahmadinexhadin. Brenda tyre pastaj besoj se ka të pakënaqur nga votimet, ka opozitarë
të fortë, ka persona që janë shprehur kategorikisht kundër këtij sistemi politik.
Në këtë momente, sidoqoftë, është e vështirë të thuash sesi po zhvillohet kjo “valë
e gjelbër” siç është pagëzuar tashmë lëvizja opozitare në Iran.