2009-06-25 13:19:42

Një çmim për Papën, ndërtues i paqes dhe i kulturës


(25.06.2009 RV)RealAudioMP3 Lirimi i të gjitha pengjeve të rrëmbyera në zonat e luftës dhe fundi i abuzimeve kundër fëmijëve qenë thirrjet që bëri dje Papa Benedikti XVI, në mbarim të audiencës së përgjithshme. Ishte e pranishme nënsekretarja e Kombeve të Bashkuara për fëmijet në konflikt, Radhika Kumarasuami, e cila, pas audiencës, u prit nga kryeipeshkvi Dominik Mambertì, sekretar i Marrëdhënieve me Shtetet në Vatikan.
Gjithashtu, ishte i pranishëm në audiencë edhe astronauti amerikan Ronald Garan, i cili ka çuar një relike te shën Terezës së Liziesë në hapësirë, në njërin nga udhëtimet me Discovery Shuttle. Kësaj relikeje, në orbitë prej një viti, do t’i shtohet një tjetër, e cila gjithnjë do të çohet në kozmos nga Garan gjatë misionit të ardhshëm, në program për marsin e vitit 2011. Ideja lindi nga lidhja e tij shpirtërore me karmelitanet e Nju Kanei në Teksas. Garan dhe familjarët e tij kanë krijuar edhe shoqatën “Manna”, e cila, përmes teknologjive të NASA-s dhe financimeve të OKB-së, ka bërë të mundur që uji i fshatrave të Ruandës të bëhet i pijshëm dhe ka instaluar panele diellore në shkolla e spitale.
Gjatë audiencës së djeshme, përfaqësuesit e Institutit Robert Shuman i dhanë Papës “Yllin e artë të kulturës evropiane” për rolin e tij si ndërtues i paqes dhe i kulturës, si përkrahës i miqësisë ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve, si edhe për impenjimin e Benediktit XVI që të rizbulohen rrënjët e krishtera të Evropës.








All the contents on this site are copyrighted ©.