2009-06-25 14:55:11

Kisha, specialiste e njerëzimit, nuk mund të heshtë përballë tragjedive të emigracionit.


(25.06.2009 RV)RealAudioMP3 Nën dritën e mesazhit të krishterë Kisha mbron dinjitetin e qenies njerëzore dhe inkurajon frymën e mikpritjes dhe të solidaritetit. Në një kohë kur politikat e emigracionit janë në qendër të debateve - e jo vetëm në Europë - shtetet duhet t’i japin udhë emigracionit dhe të vënë rregull duke respektuar dinjitetin njerëzor dhe Konventat ndërkombëtare. Këto thekson ndër të tjera kryeipeshkvi Antonio Maria Veljò, i cili që nga shkurti i këtij viti është president i Këshillit Papnor i Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët. Le ta ndjekim:

Pyetje: Imzot, tema e emigracionit, e integrimit dhe e sigurisë sot për sot janë më shumë se kurrë në qendër të debatit politik dhe kulturor në shumë shtete europiane. Cili është dhe duhet të jetë roli i Kishës në këtë kontekst? Si mendoni ju?

Përgjigje: Kisha ka qenë gjithmonë në krah të emigrantëve, veçanërisht atje ku ardhja e emigrantëve shkakton situata dramatike, e nganjëherë, madje edhe skllavëri të reja. Mjafton të themi se zëri i Kishës sot po ngrihet me forcë në Amerikën Veriore, ku çdo vit llogaritet se shkojnë afro një milion e gjysmë persona, mbi të gjitha nga Amerika Latine dhe nga ajo Qendrore; në Europë ku çdo vit vijnë rreth 800 mijë emigrantë, apo në Oqeaně, ku ka afro 90 mijë emigrantë në vit. Përballë kësaj dukurie Kisha tregon një kujdes të posaçëm baritor, sepse ajo vëren se aty kemi të bëjmë me gra e burra, pleq e fëmijë e jo thjeshtë me shifra e numra. Si mundet Kisha – e cila është “specialiste e njerëzimit” sikurse e ka quajtur Papa Pali VI – të heshtë përballë tragjedive të emigracionit, qoftë ky i vullnetshëm apo i bërë me dhunë? Kisha mbron dhe promovon dinjitetin e njeriut pavarësisht nga statusi juridik që ai ka, qoftë ky i rregullt apo i parregullt.
Kështu që Kisha gjendet përballë shumë sfidave. Në radhë të parë është sfida sociale: Kisha është e impenjuar në zgjidhjen e problemeve të strehimit, të mungesës së ushqimit dhe të strukturave të mikpritjes. Është e impenjuar me problemin e trafikut të qenieve njerëzore, shfrytëzimin etj. Ndërsa në planin fetar e baritor është kuptueshme se duke qenë grupet etnike të shumta dhe të copëzuara, nuk është e thjeshtë t’u shërbehet ashtu siç duhet. Këtyre u shtohet edhe problemi i edukimit fetar i fëmijëve, si edhe mungesa e strukturave baritore që t’u përgjigjen kërkesave të tyre të ligjshme. Kisha është e bindur se integrimi është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të favorizuar pastaj edhe mirëqenien e të gjithëve, duke respektuar ligjet.

Pyetje: Gjatë homelisë suaj për Festën e Popujve të 17 majit që porsa kaloi, ju i bëtë thirrje bashkësisë së krishterë, politikanëve, atyre që janë përgjegjës për mjetet e informacionit dhe të gjithë shtetasve që t’i shohin me sy tjetër emigrantët. E kishit fjalën për një ndryshim qëndrimi?

Përgjigje: Të gjithë e shohin me sytë e tyre se jetojmë në epokën e globalizimit, por kjo gjë vë në pah një paradoks të çuditshëm: nga njëra anë është shpejtuar liria e transferimit e të mirave materiale dhe të kapitaleve, por nga tjetra pengohet lëvizja e lirë e personave, duke vënë në rrezik atë të drejtë themelore për njeriun që quhet “liria e lëvizjes”. Kultura e tregut kur bëhet fjalë për kapitalet funksionon mirë, por kur bëhet fjalë për lëvizjen e lirë të personave ngec në vend. Atëherë flitet për riatdhesime, për kuota hyrjeje për emigrantët dhe për dëbime. Pra, nëse është e drejtë që të ripohohet e drejta e shteteve për ta drejtuar dhe organizuar emigracionin, duhet edhe saktësuar se secili shtet duhet të parashikojë norma të qarta e të marrë masa të zbatueshme për hyrjen e emigrantëve në mënyrë të rregullt, sipas ligjit. Duhet që shteti të vigjilojë mbi tregun e punës, mbi të gjitha për të luftuar ata që shfrytëzojnë punën e zezë dhe jo ata që janë viktimat e kësaj pune.
Fatkeqësisht në vendet e pasura ndodh që të pasurit mbrohen nga të varfërit duke u përpjekur t’i zvogëlojnë lëvizjet e tyre ose edhe t’i pengojnë shpërnguljet e tyre. Kështu përhapet një retorikë e re në nivelin kulturor, e cila i quan emigrantët përgjegjës të krizave shoqërore dhe të frikës së re kolektive, e jo rrallëherë madje edhe si kërcënim ndaj identitetit kombëtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.