2009-06-24 16:58:33

Protesta të reja në Iran. Policia qëllon kundër manifestuesve.


(24.06.2009 RV)Rritet tensioni në Iran dhe keqësohen marrëdhëniet e Teheranit me bashkësinë ndërkombëtare. Pas protestave të këtyre ditëve, që shkaktuan 17 viktima, Ministria e Brendshme nuk lejoi sot manifestimet përkujtimore për të vrarët. Megjithatë, rreth 5 mijë vetë u përleshën me policinë dhe me paraushtarakët në sheshin e parlamentit. Policia qëlloi kundër manifestuesve.
Qeveritarët akuzojnë persona me pasaportë britanike për përfshirje në përleshjet e përgjakshme. Fajtor, sipas regjimit të Ahmadinexhadit, është edhe shërbimi sekret amerikan. Irani njofton se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e nesërme të ministrave të jashtëm të G8-ës, që do të zhvillohet në Trieste të Italisë, duke e thelluar ndarjen me Perëndimin. Gjatë një konference për shtyp, presidenti amerikan Obama theksoi se pa vëzhgues ndërkombëtarë nuk mund të dihet ekzaktësisht se ç’ka ndodhur në qendrat e votimit, por nëse një përqindje e madhe e popullit iranian i konsideron zgjedhjet të paligjshme, lindin dyshime të mëdha mbi transparencën e votimeve.
Kreu i opozitës, Mir Husein Musavì vazhdon të akuzojë përkrahësit e Ahmadinexhadit për manipulim të zgjedhjeve, por shtypja e protestave me gjak duket se po jep rezultatet e para. Kandidati konservator Mosen Rezai tërhoqi padinë për parregullsi në numërimin e votave, pavarësisht se kritikoi autoritetet për kohën e paktë të lënë në dispozicion lidhur me verifikimet. Sipas lajmeve që vijnë nga interneti, të gjitha spitalet e ambasadat janë rrethuar nga milicët. Përkrahësit e presidentit aktual, Ahmadinexhad, kanë zhvilluar protesta para ambasadës britanike, pas përjashtimit nga Londra të dy diplomatëve iranianë, si përgjigje e përjashtimit nga Teherani të dy diplomatëve britanikë.








All the contents on this site are copyrighted ©.