2009-06-24 18:53:40

Në vizitë ‘ad Limina’ në Vatikan, ipeshkvijtë e Vietnamit, vend ku Kisha lulëzon, pavarësisht nga vështirësitë.


(24.06.2009 RV)Prej disa ditësh, ipeshkvijtë e Vietnamit janë në Vatikan për vizitën e tyre ‘ad Limina’. Pak më i madh se Italia, me 83 milionë banorë, Shteti i juglindjes aziatike ka 6 milionë katolikë, 7% e popullsisë. Kisha vietnameze është e organizuar në tri kryedioqeza e 23 dioqeza. Është një bashkësi plot gjallëri, pavarësisht nga vështirësitë. E gjithë historia e saj është e lidhur ngushtë me persekutimin. Ndërmjet shekujve XVII e XIX në këtë vend u shpallën 53 edikte kundër të krishterëve, të cilët vijuan të përndiqen edhe në të kaluarën më të afërt, nën regjimin komunist. Tani të krishterët dhe barinjtë e tyre janë më të lirë. Mund të lëvizin pa kufizime e edhe strukturat bamirëse mund ta kryejnë më lehtë shërbimin e tyre në favor të popullsisë. Gjithsesi, situata mbetet e vështirë, siç e ripohojnë edhe Raportet e lëvizjes ‘Ndihmë për Kishën që vuan”. E megjithatë, Kisha e munduar vietnameze, është edhe një nga Kishat aktive të Azisë. Ka pak meshtarë, por shumë besimtarë. Këtë e tregon pjesëmarrja e jashtëzakonshme në të gjitha kremtimet fetare. E aty ku mungon meshtari, impenjohen me të gjitha forcat laikët, që punojnë shumë sidomos në gjirin e atyre, që nuk e njohin akoma Krishtin.
Një shenjë tjetër gjallërie është edhe numri, gjithnjë në rritje, i thirrjeve për rrugën meshtarake e rregulltare. Aktualisht në vend numërohen 50 kongregata femërore e më se 20 mashkullore. Posaçërisht aktive, kongregata e salezianëve dhe e redentoristëve. Këta të fundit kanë punuar për përkthimin e Biblës në gjuhën vietnameze.
Sot tri sfidat kryesore për Kishën e Vietnamit janë: “Ungjillëzimi, formimi i kandidatëve për meshtari dhe kapërcimi i krizës në familjen, që rrezikohet gjithnjë më shumë nga stilet hedonistike të jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.