2009-06-24 18:54:24

Gjon Pagëzuesi, Shenjti i vetëm, të cilit të krishterët i kremtojnë ditëlindjen.


(24.06.2009 RV)RealAudioMP3 Kisha përkujtoi sot Lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit. Tradita e krishterë e quan ‘Pararendës’, domethënë ‘ai që rend para’, kasnec i Mesisë, mbi bazën e profecisë së Izaisë Profet. Jetoi në kohën e Herodit Antipa, të cilin e dënoi publikisht për bashkëjetesën e paligjshme me të kunatën, Herodiadën. Prandaj mbreti e mbylli në burg e, më pas, i preu edhe kokën, thjesht për të plotësuar një tekë të gruas së paligjshme e të së bijës, Salomesë. Rregulltari agostinian, atë Gabriel Ferlisi, na e shpjegon kështu shkakun e kësaj feste:

Përgjigje: Kur Maria, që tashmë kishte në gji Birin e Zotit, shkoi të vizitonte Elizabetën, Jezusi e shenjtëronte Gjonin, në bark të së ëmës. U shenjtërua para se të lindej e prandaj është shenjti i vetëm, të cilit i kremtohet ditëlindja. E i kremtohet edhe lindja për jetën e pasosur, më 29 gusht, ditën e martirizmit, kur iu pre koka.

Pyetje: - Një figurë tejet e veçantë kjo e Shën Gjon Pagëzuesit, që shprehej qartë, pa menduar se e vërteta paguhet shtrenjt…
 
Përgjigje:- Ai është shumë i vetëdijshëm për misionin që i është besuar: përgatitjen e ardhjes së Jezusit. Shprehet bukur Shën Agostini, kur thotë se Shën Gjoni është vendosur në kufirin ndërmjet dy Besëlidhjeve: së Vjetrës e së Resë. Është urë lidhëse. Ai është zëri, Krishti-Fjala. Janë dy figura, që kujtojnë njëra-tjetrën e plotësojnë njëra-tjetrën. Gjon Pagëzuesi, që simbolizon Besëlidhjen e Vjetër, plotësohet nga Krishti, simbol i Besëlidhjes së Re.

Pyetje: - Po për të krishterin e sotëm, ç’ kuptim ka kjo festë?

Përgjigje: - Sot njerëzit nuk duan mësues, por dëshmitarë. Gjon Pagëzuesi është dëshmitar i vërtetë. Ai e paguan me gjak besimin në Krishtin. Nuk e humbet kohën me shumë fjalë, me sofizma. Shkon drejtpërdrejt tek themelorja. E tregon me gisht Krishtin si qengjin, që shlyen mëkatet e botës. Ai i drejton dishepujt nga Krishti. Ndërsa veten e shikon si njeri, që nuk është i denjë t’ia zgjidhë Zotit as lidhëzat e sandaleve. Është ashtu, si duhet të jetë secili prej nesh: dëshmitar, që tregon Krishtin; prani e pranisë së Zotit. E kështu mund të jetë vetëm kur e jeton atë që beson, atë që mëson. Ja, pra, mesazhi është se kemi nevojë për dëshmitarë!







All the contents on this site are copyrighted ©.