2009-06-23 17:59:59

Rreshtat e fundit të gazetarit iranian Mohamed Guçani përpara arrestimit nga policia.


(23.06.2009 RV)“Të bëhesh gazetar për brezin tonë qe e thjeshtë, por të mbetesh i tillë është me të vërtetë e vështirë. Për ne është një dëshirë e paarritshme të plakemi duke kryer këtë detyrë. Ah sikur të plakeshim të tillë! Ah, sikur të vdisnim në redaksinë tonë! Ah, sikur im atë, i cili ende shpreson që të më shohë duke bërë dy punë, krahas asaj të gazetarit edhe një punë tjetër në ndonjë zyrë, ministri apo shoqatë, ah sikur ai të bindej se unë zanatin e kam, prej vitesh madje! Ah, sikur redaksitë e mia të mos i bënin rrafsh me tokën, atëherë do t’i tregoja tim eti se unë punoj, se nuk po luaj por se jam duke bërë punën e gazetarit.”
Kjo është një pjesë marrë nga artikulli i fundit që arriti të shkruaj gazetari iranian Mohamed Guçani, drejtor i së përditshmes “Etemad e Meli” përpara se t’i hidhnin prangat të shtunën në mëngjes. “Sot për sot të mbetesh gazetar është bërë diçka e vështirë. Për disa ky profesion është një pikaarritje, për disa një instrument, për disa të tjerë një ndalesë e ndërmjetme dhe prap për disa të tjerë është shtëpia e mbramë. Por a mundesh të mbetesh ende gazetar sot, kur ke përpara qelitë, censurën, rrogat e vogla, sot pra, a mund të mbetesh gazetar?” Kështu shkruan më tej në artikullin e fundit të tij gazetari Guçani.
“Ne brezi i tretë i Iranit, jemi më të ndërgjegjshmit për vdekjen, ndaj nesh ka edhe më shumë shpifje. Jemi dëshmitarë të njerëzve të cilët nuk mund të parashikojnë as atë çka mund të ndodhë pas një minuti në jetën e tyre, rrëfen gazetari iranian. “Të ardhmen tonë nuk e qeverisë as logjika, as ndjenja njerëzore e as mëshira.
Askush nuk e di të ardhmen e vet, por ama, kushdo mund ta parashikojnë apo ta programojnë të ardhmen personale. Kushdo, përveç nesh! Shkojmë në redaksi çdo ditë por nuk e dimë a do të na zërë e nesërmja. A mos vallë dini ndonjë zanat tjetër në të cilin për gabimin më të vogël që bën të gjithë nëpunësit dënohen me litar? – vijon Mohamed Guçani. Apo për fajin e vetëm të njërit të pushohen nga puna të gjithë të tjerët? Apo kur për një akuzë të dhjetë vjetëve më parë - e kur i ke kryer ato dhjetë vjet burgim - të dënojnë edhe me dhjetë vjet të tjera, po për të njëjtën akuzë.
Vetëm ajo ditë, kur t’i shohim gazetarët duke vdekur nga pleqëria në shkritoret tyre, ajo do të jetë dita e jonë më e lumtur. Vetëm atë ditë kur të vdesim si gazetarë, do të kuptojmë se kemi jetuar si gazetarë. Pra, përveç vdekjes, brezit tim mos i uroni asgjë tjetër, sepse ajo ditë do të jetë dita e lirisë së shtypit në Iran”, përfundon gazetari Mohamed Guçani.








All the contents on this site are copyrighted ©.