2009-06-23 18:40:50

Papa Benedikti XVI boton “Mendime mbi meshtarinë”


(23.06.2009 RV)RealAudioMP3 “Mendime mbi meshtarinë” është një libër i vogël i Papës Benedikti XVI, i publikuar në Vatikan, me qëllimin për të përuruar Vitin Meshtarak, të shpallur nga Papa më 19 qershor. “Zoti është pasuria e vetme, që njerëzit dëshirojnë të gjejnë tek meshtari”, është mendimi që hap librin e Atit të Shenjtë. Ftuam në mikrofonin tonë drejtorin e Shtëpisë Botuese të Vatikanit, don Xhuzepe Kosta për të folur pikërisht mbi këto mendime të Papës. Benedikti XVI thotë se shugurimi meshtarak është një “kalim pronësie”. Ç’do të thotë kjo?
Që meshtari nuk i përket më vetvetes, por i përket Jezu Krishtit, i përket Zotit, pasi meshtari duhet të bëhet një me Krishtin, duhet të identifikohet me të. Kjo do të thotë se duhet të braktisë vetveten si Krishti, deri në shëlbimin e çdo njeriu. Kalimi i pronësisë do të thotë se duhet ta riplanifikojë vetveten, ta ristrukturojë jo me logjikën e vet, por me logjikën e Zotit vetë. Është një vendim radikal, i thellë, që ndryshon jetën e një personi.
Benedikti XVI nënvizon se meshtari është para së gjithash mik i Jezusit…
Miqësia është bashkëjetesë, është frekuentim. Të jesh mik i Jezusit do të thotë të jetosh në frymën e Betanisë, të jetosh në zemrën e Gjonit, ta konsiderosh Jezusin të pranishëm në jetën tënde, pikërisht siç bëhet me një person që e duam fort. Miqësia me Jezusin është thelbi i jetës, që na bën të sillemi e të jemi në një mënyrë të caktuar.
Papa kujton edhe se meshtarit nuk i kërkohet të jetë ekspert në ekonomi, në ndërtim, apo në politikë, prej tij pritet që të jetë ekspert i jetës shpirtërore. Don Kosta, pse flet kështu Ati i Shenjtë? Mos ndoshta meshtarët aktivizohen pak si tepër në fusha të ndryshme?
Meshtari nuk duhet të humbasë pikën fillestare të referimit. Këndvështrimi i tij është ai i Jezusit, ai i Zotit. Prandaj, edhe kur merret me ekonomi, me organizimin shpesh të nevojshëm - mjafton të mendojmë për territore ku nuk ka të krishterë e ku meshtarit i duhet të merret edhe me aspektet ekonomike e organizative – edhe atëherë pra, meshtari duhet të ketë parasysh natyrën e Krishtit, që e dhuron krejtësisht vetveten për t’u shërbyer të tjerëve e për të shëlbuar të afërmin.
Papa thekson edhe se meshtari duhet të jetë sidomos njeri i lutjes…
Lutja është si frymëmarrja e çdo shpirti, pra edhe e shpirtit të vetë meshtarit. Meshtari që nuk lutet, nuk mund ta jetojë miqësinë me Jezusin, nuk mund të jetojë as miqësinë me krejt besimtarët e tjerë. Prandaj, lutja është thelbësore, jo vetëm për mbijetesën e meshtarit, por edhe për jetën e tij shpirtërore.
Don Kosta, a keni ndërmend të botoni libra të tjerë për Vitin Meshtarak?
Pikërisht sot doli një vëllim i përgatitur nga Leonardo Sapienca, me titull “Stili meshtarak. Në gjurmët e Shën Gjon Maria Vianejt, famullitar i Arsit”. Është një libër, në të cilin atë Leonardo Sapienca paraqet se ç’kanë shkruar mbi këtë temë Pali VI, Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, gati një rrugë meditimi mbi gjurmët e famullitarit të Arsit, të cilin Ati i Shenjtë e tregon si shembull pastoral dhe shpirtëror për çdo meshtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.