2009-06-23 18:42:16

Një delegacion i Patrikut Bartolomeu I do të vijë në Romë për festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit


(23.06.2009 RV)Për festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit, e cila bie më 29 qershor, Patriku Ekumenik Bartolomeu I do të dërgojë, siç është tashmë traditë, një delegacion në Romë, në përgjigje të atij të dërguar nga Papa Benedikti XVI në Fanar për festën e Shën Andresë, vëllait të Shën Pjetrit e pajtor i Kishës së Kostandinopojës. Ky shkëmbim delegacionesh ndërmjet Romës e Kostandinopojës – kujton sot një notë e Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve – ka filluar me vizitën e presidentit të Sekretariatit të atëhershëm për bashkimin e të krishterëve, kardinalit Johanes Vilebrands, në vitin 1969.
Këtë vit, delegacioni i Patrikut Bartolomeu I udhëhiqet nga Mitropoliti i Francës Emanuel, drejtor i Zyrës së Kishës ortodokse pranë Bashkimit Evropian. Ai përbëhet nga ipeshkvi i Sinopit, Atenagoras, asistent i Mitropolitit të Belgjikës dhe nga diakoni Joakim Bilis i Fanarit. Delegacioni do të marrë pjesë në Lutjen Mbrëmësore të 28 qershorit, e cila do të kryesohet nga Benedikti XVI në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës, duke filluar kështu ditën përfundimtare të Vitit Paolin, kremtuar në 2000 vjetorin e lindjes së Apostullit të Popujve. Më 29 qershor, delegacioni do të marrë pjesë në Meshën e Papës në Vatikan, do të pritet në ditët e mëpasme prej Atit të Shenjtë dhe do të ketë takime me personalitete të Këshillit Papnor për nxitjen e Bashkimit të të krishterëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.