2009-06-22 17:09:00

U hapën punimet e Roako-së kushtuar gjendjes së të krishterëve në Tokën Shenjte e në Kishën katolike bullgare.


(22.06.2009 RV)RealAudioMP3 Veprat e Ndihmës për Kishat Lindore (Roako) nisën sot në Romë, takimin e tyre gjashtëmujor, që do të përfundojë të mërkurën e ardhshme. Nesër paradite do të flasin kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore dhe Patriku Latin i Jeruzalemit, Fuad Tual, i cili do të hapë diskutimet me temë: “Jeta e dëshmia e të krishterëve të Tokës Shenjte. Vërejtje e perspektiva nga Patriarkati Latin i Jeruzalemit”.
Ky takim do të krijojë mundësitë për të ripohuar se prania e të krishterëve në viset e Jezusit ka vlerë të dyfishtë e të pazëvendësueshme. Këtë e thekson, në mikrofonin tonë, Atë Leon Lemmes, sekretar i përgjithshëm i Roako-së:

Përgjigje: - Prania e bashkësive të krishtera, ndonëse pakica të vogla, është tejet e çmuar. Ka rëndësi të dorës së parë të mos zhduket dëshmia e gjallë e dishepujve të Jezusit, që të mos mbetën vetëm gurët si dëshmi e jetës së Krishtit e të dishepujve të tij mbi këtë tokë. Është edhe një arsye tjetër, tepër e rëndësishme, që nuk ka të bëjë vetëm me Tokën Shenjte, por me të gjithë Lindjen e Mesme. Arsyeja se këtu lindën tri fetë monoteiste: judaizmi, kristianizmi e islami. Bashkëjetesa e tyre paqësore ka një rëndësi të pallogaritshme për mbarë botën.

Pyetje: - Gjithsesi Roako nuk mendon vetëm për të krishterët e Tokës Shenjte, gjë që e tregon fakti se në këtë takim ju do të flisni edhe për Bullgarinë…

Përgjigje: - Jemi të kënaqur që edhe Bullgaria është në rendin ditës të takimit të Roako-së, ku është i pranishëm një ipeshkëv bullgar e edhe nunci apostolik, që do të flasin për situatën e Kishës në Bullgari. Natyrisht është fjala për një bashkësi të vogël: 80 mijë katolikë, 1% e popullsisë. Por Roma nuk i harron as bashkësitë më të vogla katolike, të përhapura deri në skajet më të harruara të botës. E Kisha bullgare, tejet e persekutuar gjatë regjimit komunist, është një nga këto. Kishë që u ripagëzua edhe me gjak martirësh e që rilindi në vitin 1989, duke e nisur jetën nga zeroja, ashtu si të gjitha Kishat e lindjes evropiane. Jemi të kënaqur që do t’i dëgjojmë, pa harruar se do të kenë edhe ndihmën e duhur financiare.








All the contents on this site are copyrighted ©.