Irani pranon parregullsitë në zgjedhje. Protesta të reja.
(22.06.2009 RV)Teherani përjetoi një ditë tjetër protestash, me njerëzit që
u mblodhën në shesh, pavarësisht nga kërcënimet e regjimit për t’i shtypur me dhunë.
Qeveria iraniane pranoi parregullsitë në zgjedhje, por bëri të ditur edhe se asgjë
nuk ndryshon në numërimin përfundimtar të votave, që i jep fitoren presidentit aktual
Mahmud Ahmadinexhad. Sipas Këshillit të Rojtarëve, organ i kontrollit të zgjedhjeve,
në 5 qytete numri i skedave është më i madh se ai i votuesve. Megjithëse këto parregullsi
përfshijnë rreth 3 milion vetë, Këshilli ka deklaruar se rinumërimi i votave nuk do
ta ndryshonte rezultatin. Opozita, e udhëhequr nga Mehdi Karrubi e Mir Husein
Musavì, manifestoi sot në emër të Nedës, vajzës simbol të revoltës, që u vra të shtunën.
Lajmet merren vesh nëpërmjet internetit, pasi për gazetarët është e vështirë të hyjnë
në Teheran. “Neda është varrosur në Behest Zahra e autoritetet e kanë ndaluar kremtimin
e funeralit”, njoftojnë blogistët. Problemi kryesor për protestuesit mbeten të ashtuquajturit
“Gardistët e revolucionit”, apo pasdaranët. Të shtunën, policia arrestoi 457 vetë.
Fazeh Rafsanxhanì, e bija e ish-presidentit të Iranit, u lirua sot, por nuk dihet
asgjë për fatin e një gazetari kanadez, të arrestuar dje. Teherani akuzon vendet
perëndimore se po ndihmojnë revoltën dhe nuk përjashton mundësinë e largimit të diplomatëve
evropianë. Ministria e Jashtme italiane është gati të revokojë ftesën për pjesëmarrjen
e Iranit në mbledhjen e G8-ës, që do të zhvillohet në Trieste.