2009-06-22 17:31:24

21 qershor: në viset e Shën Pios


Mesha e Papës përballë 50 mijë vetëve në Shën Gjovani Rotondo: Shën Pio, mësues në luftën kundër së keqes e në udhëheqjen e shpirtrave.

 
“Të udhëhiqte shpirtrat e të lehtësonte vuajtjet”: me këto fjalë mund të përmblidhet misioni i Shën Pios nga Pietrelçina. E kujtoi sot paradite Benedikti XVI, shtegtar në viset e Shën Pios, gjatë kremtimit eukaristik përballë një turme prej 50-mijë besimtarësh, ardhur nga e gjithë Italia, por edhe nga Anglia, SHBA e Irlanda, që e pritën plot gëzim e emocion, në sa të gjitha këmbanat njëherësh përhapnin tinguj festivë, për t’ia lënë, pastaj, vendin orkestrës simfonike të konservatorit ‘Piçini’ të Barit.
Është vizita e parë që Benedikti XVI i bën Atë Pios, shtatë vjet pasi u shpall Shenjt, e dyta e një pape, pas asaj të Gjon Palit II.
Papa arriti këtu me avion, për shkak të kushteve metereologjike, dhe nisi menjëherë etapën e parë të shtegtimit të tij njëditor në San Giovani Rotondo: vizitën në qelinë n. 1, ku jetoi e vdiq Atë Pio. Pastaj Benedikti XVI zbriti në kriptën e Shenjtërores së Shën Marisë së Hireve e u lut në gjunjë para trupit të Shën Pios, vendosur në një kuti prej kristali. E, pasi puthi reliken, ku ruhen pjesë të zemrës së Shenjtit, asaj zemre, që rrahu njëherësh me Zemrën e Krishtit e u shporua si ajo, Papa ndezi dy llampa kushtore, për kujtim të vizitës së Gjon Palit II, në 87-tën e të vizitës së tij këtë të dielë qershori.
Gjatë Meshës, kremtuar me kelkun e Atë Pios, Papa shpjegoi kryesisht Ungjillin e kësaj së diele, që flet për stuhinë në liqenin e Tiberiades, për frikën e dishepujve e ndërhyrjen shpëtimtare të Krishtit, duke u ndaluar pastaj tek plagët, që Zoti i dhuroi Shën Pios, si simbol të bashkmit të ngushtë me Të e si dhuratë, e cila i shërbeu për të vijuar veprën e Krishtit në tre drejtime kryesore: duke kumtuar Ungjillin, duke zgjidhur mëkatet e duke shëruar të sëmurët në korp e në shpirt. E, siç dihet nga të gjithë, Atë Pio nuk pati një jetë të qetë. Iu desh të përballojë shumë beteja të vështira:
“Ashtu si Jezusi, luftën e vërtetë, betejën kryesore, Atë Pio nuk e bëri kundër armiqve tokësorë, por kundër shpirtit të së keqes. ‘Stuhitë’ më të tërbuara, që e kërcënonin, ishin sulmet e djallit, nga i cili ai u mbrojt me armaturën e Zotit, me mburojën e fesë e me shpatën e Shpirtit Shenjt, që është fjala e Zotit”.
Prandaj e njohu thellë dramën e njeriut, prandaj u flijua, ofroi vuajtjet e veta e shkriu gjithë jetën për të lehtësuar dhimbjet, sëmundjet, vuajtjet e njerëzve, si simbol i mëshirës së Zotit, i Mbretërisë së tij që vjen, që është tashmë në botë .
Kështu e përmblodhi Papa misionin e Shën Pios nga Pietrelçina, duke i nxitur të gjithë të pranishmit të ecin në rrugën e shenjtërisë, të zbulojnë gëzimin, që buron nga feja e krishterë, të provojnë mëshirën e Zotit, të jetojnë në bashkim me Krishtin, t’i përkasin Kishës së tij e ta jetojnë Ungjillin.

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: mikpritija e refugjatëve është detyrë, ndonëse e vështirë.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, si kujtoi devocionin e thellë të Shën Pios për Zojën e Bekuar, Papa ia besoi Virgjërës Mari të gjithë: bashkësinë e kapuçinëve, të sëmurët, personelin që i mjekon, Shtëpinë e lehtësimit të vuajtjes, grupet e lutjes. Në vijim, iu lut Zojës së Bekuar e Shën Pios të ndërmjetësojnë për Vitin Meshtarak, që sapo filloi. Papa u lut edhe për refugjatët, duke kujtuar se dje kremtohej Dita që u kushtohet nga OKB-ja:
“Të shumtë janë njerëzit, të cilët kërkojnë strehë në vende të tjera, duke ikur nga lufta, persekutimi, fatkeqësitë e natyrës; strehimi i tyre, që krijon vështirësi jo të pakta, është detyrë e të gjithëve”.
Kështu u shpreh Benedikti XVI e në përfundim u lut që, me ndihmën e Zotit e me impenjimin e të gjithëve, të zhduken shkaqet e këtij fenomeni tejet të trishtuar.

Takimi i Papës në Shtëpinë për lehtësimin e vuajtjes: vetëm Zoti mund ta zhdukë të keqen.

 
Pasdite, në orën 16. 30, në Shtëpinë për lehtësimin e vuajtjes, siç quhet spitali i madh në Shën Gjovani Rotondo, ndërtuar sipas idesë së vetë Shën Pios, Papa u takua me të sëmurët dhe personelin mjekësor e administrativ, të cilëve u drejtoi një pëshëndetje prekëse, duke kujtuar një mister që ka të bëjë me të gjithë njerëzit: atë të vuajtjes e të lehtësimit të saj.
“Vend i lutjes e i shkencës, ku gjinia njerëzore e ndjen veten, në Krishtin e Kryqëzuar, si një grigjë e vetme me një bari të vetëm” – kështu e quajti Papa këtë vend, duke kujtuar Atë Pion, i cili donte që në këtë strukturë shëndetësore të gjithë ta kuptonin menjëherë se impenjimi i shkencës për mjekimin e të sëmurit, nuk duhet shkëputur kurrë nga besimi në vullnetin e Zotit të mëshirshëm. Duke e përuruar – shtoi Papa - e quajti ‘krijesë të provanisë e farë të hedhur mbi tokë nga Hyji, që e ngroh me rrezet e dashurisë së tij’.
E në sa vizitonte një vend vuajtjeje e mjekimi, Papa nuk mund të mos prekte përsëri një nga temat më delikate të jetës njerëzore: atë të sëmundjes e të dhimbjes:
Sa herë që hyjmë në një vend mjekimi, mendimi natyrisht shkon te misteri i sëmundjes e i vuajtjes, tek shpresa e shërimit e vlera e pallogaritshme e shëndetit, për të cilin shpesh kujtohemi vetëm atëherë kur na mungon. Në spitale preket me dorë vlera e jetës sonë, por edhe brishtësia e saj. Sipas shembullit të Jezusit, që përshkonte mbarë Galilenë, duke mjekuar çdo lloj sëmundjeje e ligështie në popull, Kisha, që në zanafillën e vet, e frymëzuar nga Shpirti Shenjt, e konsideroi si detyrë e privilegj, të jetë gjithnjë pranë njeriut që vuan, duke u kujdesur në mënyrë të veçantë për të sëmurët”.
Sëmundja, që shfaqet në shumë forma e godet në mënyra nga më të ndryshmet, bën të lindin disa pyetje shqetësuese: Pse vuajmë? A mund të quhet pozitive përvoja e dhimbjes? Kush mund të na çlirojë nga sëmundja e nga vdekja? Pyetje themelore, të cilat nganjëherë mbeten pa përgjigje, sepse arsyeja nuk është në gjendje ta shqyrtojë këtë mister – tha Papa – e duke cituar Enciklikën e tij ‘Spe salvi’ shpjegoi se sëmundja e vdekja vijnë, nga njëra anë prej papërsosurisë sonë, e nga ana tjetër, prej masës së fajit, që është grumbulluar në rrjedhë të historisë e që vijon të rritet pandalshëm edhe sot e kësaj dite. Natyrisht duhet bërë ç’është e mundur për ta lehtësuar sa më shumë vuajtjen, por me vetëdijen se nuk është në dorë tonë ta zhdukim plotësisht, sepse:
“Ai që mund ta zhdukë pushtetin e së keqes, është vetëm Zoti. Pikërisht për faktin se Jezu Krishti erdhi në botë që të na zbulojë planin hyjnor të shëlbimit tonë, feja na ndihmon për të depërtuar në kuptimin e çdo gjëje njerëzore e, prej këndej, edhe në kuptimin e vuajtjes. Ekziston, pra, një lidhje e ngushtë ndërmjet Kryqit të Krishtit, simbol i dhimbjes më sublime e çmim i lirisë sonë të vërtetë, e dhimbjes sonë, e cila shndërrohet e lartohet, kur jetohet me vetëdijen e afërsisë e të solidaritetit të Zotit”.
Prej këndej – kujtoi Papa, Atë Pio e kuptoi se të sëmurët, mjekët e meshtarët do të ishin rezerva dashurie:
Të jeni rezerva dashurie’: ja, të dashur vëllezër e motra, misioni të cilin e kërkon përsëri Shenjti nga ju, që formoni familjen e kësaj Shtëpie të ngritur për lehtësimin e vuajtjes”.
Ky ishte mesazhi i Papës i cili, duke i përshëndetur të pranishmit me fjalët e Kapuçinit Shenjt, i porositi ta bëjnë qytezën e tyre, fidanishte bamirësie e vater dashurie.

Papa të rinjve të papunë në Jug të Italisë: Kisha nuk ju braktis! Meshtarëve: përngjajini Atë Pios!
Ngjarja e fundit e vizitës së Benediktit XVI në San Gjovani Rotondo ishte takimi i mbrëmshëm me meshtarët, rregulltarët e të rinjtë, në Kishën e Shën Pios nga Pietrelçina. Papa ripohoi me forcë vlerën e Eukaristisë, të lutjes e të rrëfimit. Më pas i inkurajoi të rinjtë e kësaj zone, posaçërisht ata që po kalojnë çaste të vështira, për shkak të papunësisë.

“Atë Pio na fton të gjithë t’ia hapim zemrën mëshirës së Zotit, na nxit të jemi shenjtorë, dmth njerëz të sinqertë, miq të Jezusit”. Këtë theksoi Benedikti XVI, në kornizën sugjestive të Kishës kushtuar Shenjtit të Pietrelçinës. E fjala e tij, drejtuar klerit e të rinjve, u ndërpre disa herë nga duartrokitje të stuhishme. Papa e lidhi figurën e Atë Pios “fratit të përvujtë e meshtarit të zellshëm”, me atë të famullitarit të Arsit, Shën Gjon Vianejt, të cilit i kushtohet Viti Meshtarak, që sapo filloi:
“Ashtu si famullitari i Arsit, edhe Atë Pio na kujton dinjitetin dhe përgjegjësinë e shërbimit meshtarak. E kush nuk prekej thellë nga afshi me të cilin ai i rijetonte Mundimet e Krishtit në çdo kremtim eukaristik? Nga dashuria për Eukaristinë, në shpirtin e tij, ashtu si në atë të Famullitarit të Arsit, buronte gatishmëria e plotë për t’i mirëpritur besimtarët, në mënyrë të posaçme, mëkatarët”.
Edhe Atë Pio, si Shën Gjon Maria Vianej – vijoi Papa – u zbuloi besimtarëve të famullisë kuptimin e bukurinë e pendesës sakramentore. Frati shenjt i Garganos – vërejti Benedikti XVI – shkriu gjithë jetën, deri në vdekje, duke u kujdesur për shpirtrat e për kthimin e mëkatarëve në rrugën e Zotit. Kalonte orë e orë në rrëfyestore e, falë shërbimit të tij durimtar meshtarak, shumë njerëz gjetën rrugën e drejtë të jetës. Titulli më i lavdishëm që mund t’i japim Shenjtit Kapuçin është pikërisht ai i ‘Rrëfyesit’:
“Atëherë si mund të mos e llogarisim vlerën e pjesëmarrjes me devocion në kremtimin eukaristik e të afrimit sa më të shpeshtë tek Sakramenti i Rrëfimit? Posaçërisht Sakramenti i pendesës duhet vlerësuar shumë më tepër; meshtarët nuk duhet të lejojnë kurrë që rrëfyestoret të mbeten bosh e besimtarët ta shikojnë ftohtë këtë burim qetësie e paqeje”.
Njëherësh me vlerën e Sakramentit të Pendesës - shtoi Papa – Atë Pio na mësoi edhe vlerën e nevojën e lutjes. Ai lutej kudo e kurdoherë. E kështu u tregoi të krishterëve, e posaçërisht rregulltarëve, vlerën e pallogaritshme të uratës. Nganjëherë – pranoi Papa – mund edhe të çkurajohesh, kur shikon zbehjen e deri braktisjen e fesë, që vërehet në shoqërinë e shekullarizuar. Por Atë Pio na tregon se një shpirt i lidhur ngushtë me të Kryqëzuarin, arrin gjithnjë t’ua transmetojë pasurinë e Ungjillit edhe atyre që rrinë larg:
“Sigurisht duhen gjetur kanale të reja për t’ua komunikuar të vërtetën ungjillore burrave e grave të kohës sonë, por me që përmbajtja themelore e kumtit të krishterë mbetet përherë e njëjtë, është e nevojshme të kthehemi tek burimi i zanafillës, tek Jezu Krishti, që është ‘i njëjtë dje, sot e përgjithmonë e jetës”.
Më pas Benedikti XVI iu drejtua të rinjve, të cilët e shoqëruan me dashuri në të gjitha veprimtaritë e ditës në Shën Gjovani Rotondo. Papa i siguroi djemtë e vajzat, që e ndiqnin me admirim e vëmendje, se i njeh mirë problemet e tyre, të cilat krijojnë rrezikun ta zbehin entuziazmin tipik të rinisë. Ati i Shenjtë u ndal posaçërisht tek papunësia, që trondit dramatikisht jetën e shumë vajzave e djemve në Jug të Italisë. “Mos e humbisni guximin. Jini të rinj me zemër të madhe “ – i nxiti Papa, e shtoi:
“Kisha nuk ju braktis. E ju nuk e braktisni Kishën. Kemi nevojë për mbështetjen tuaj, që të formojmë bashkësi të krishtera plot jetë e shoqëri më të drejta e më shpresëdhënëse. E në se dëshironi të keni zemër të madhe, ndiqeni shkollën e Jezusit. Pikërisht një ditë më parë kundruam Zemrën e tij të madhe e plot dashuri për njerëzimin. Ai nuk do t’ju braktisë kurrë, kurrë nuk do ta tradhtojë besimin tuaj e kurrën e kurrës nuk do t’ju prijë në shtigje të gabuara”.
Ashtu si Atë Pio – tha në përfundim Papa – edhe ju duhet të jeni besnikë të Zotit Jezus, të cilit duhet t’i qëndroni pranë çdo ditë përmes lutjes e dëgjimit të fjalës së tij, duke praktikuar sakramentet e duke i përkitur me gjithë zemër familjes së tij, Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.