2009-06-21 17:32:51

“Meshtari si dhuratë”: editorial i Atë Lombardit.


(21.06.2009 RV)RealAudioMP3 Për Vitin Meshtarak, i cili sapo filloi, ju propozojmë editorialin e Atë Federiko Lombardit për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit:

 
“Shërbimi meshtarak ka rëndësi themelore në jetën e Kishës. Por nuk është mister që sot po kalon jo pak vështirësi. Atmosfera e përgjithshme e shekullarizimit në zona të gjëra të botës, vlerësimi më i paktë i rolit të meshtarit në shoqëri, plagët e thella, që iu hapën figurës publike të meshtarëve nga sjelljet e padenja të disave prej tyre, në një farë mase edhe vetë vlerësimi i drejtë i thirrjeve laikale në Kishë…
Papa nuk përgjigjet me konsiderata socio-fetare, por i nxit të gjithë meshtarët të përtërihen shpirtërisht, për të dhënë një dëshmi më të fortë e më energjike në botën e sotme. Me një fjalë, në letrën që u drejton të gjithë vëllezërve në meshtari duke hapur Vitin Meshtarak, nuk niset nga jashtë, por nga zemra e thirrjes meshtarake, nga modeli konkret i shenjtërisë meshtarake, nga Famullitari Shenjt i Arsit. Mund të duket gati si provokim t’u tregosh meshtarëve të mbarë botës si pikë referimi shpirtëror një famullitar, që jetoi në një fshat të vogël francez me 200 shpirtëra e që vdiq 150 vjet më parë. Por në se meshtari e jeton me të vërtetë Eukaristinë dhe shërbimin e pajtimit ndërmjet Zotit e njeriut, dmth të shfaqjes së mëshirës së Zotit, koha e vendi kalojnë në plan të dytë. Në shprehjet e letrës së Papës ndjehet një frymë e thellë përshpirtërie, një dashuri e pakufishme për Jezusin e për njerëzit, në mënyrë të posaçme, për ata që janë shpirtërisht larg Zotit ose që kalojnë vështirësi. A s’është pikërisht kjo dashuri, që kërkon të bëhet e pranishme në zemrën e të gjithë njerëzve, të cilët sot kanë nevojë urgjente e të tmerrshme për të?
Prandaj Papa flet për meshtarin si dhuratë që i bëhet Kishës dhe vetë njerëzimit. Natyrisht, në se e jeton thirrjen e tij!".







All the contents on this site are copyrighted ©.