Takimi i Papës në Shtëpinë për lehtësimin e vuajtjes: vetëm Zoti mund ta zhdukë të
keqen.
(21.06.2009 RV)Pasdite, në orën 16.
30, në Shtëpinë për lehtësimin e vuajtjes, siç quhet spitali i madh në Shën Gjovani
Rotondo, ndërtuar sipas idesë së vetë Shën Pios, Papa u takua me të sëmurët dhe personelin
mjekësor e administrativ, të cilëve u drejtoi një pëshëndetje prekëse, duke kujtuar
një mister që ka të bëjë me të gjithë njerëzit: atë të vuajtjes e të lehtësimit të
saj. “Vend i lutjes e i shkencës, ku gjinia njerëzore e ndjen veten, në Krishtin
e Kryqëzuar, si një grigjë e vetme me një bari të vetëm” – kështu e quajti Papa këtë
vend, duke kujtuar Atë Pion, i cili donte që në këtë strukturë shëndetësore të gjithë
ta kuptonin menjëherë se impenjimi i shkencës për mjekimin e të sëmurit, nuk duhet
shkëputur kurrë nga besimi në vullnetin e Zotit të mëshirshëm. Duke e përuruar – shtoi
Papa - e quajti ‘krijesë të provanisë e farë të hedhur mbi tokë nga Hyji, që e ngroh
me rrezet e dashurisë së tij’. E në sa vizitonte një vend vuajtjeje e mjekimi,
Papa nuk mund të mos prekte përsëri një nga temat më delikate të jetës njerëzore:
atë të sëmundjes e të dhimbjes: “Sa herë që hyjmë në një vend mjekimi,
mendimi natyrisht shkon te misteri i sëmundjes e i vuajtjes, tek shpresa e shërimit
e vlera e pallogaritshme e shëndetit, për të cilin shpesh kujtohemi vetëm atëherë
kur na mungon. Në spitale preket me dorë vlera e jetës sonë, por edhe brishtësia e
saj. Sipas shembullit të Jezusit, që përshkonte mbarë Galilenë, duke mjekuar çdo lloj
sëmundjeje e ligështie në popull, Kisha, që në zanafillën e vet, e frymëzuar nga Shpirti
Shenjt, e konsideroi si detyrë e privilegj, të jetë gjithnjë pranë njeriut që vuan,
duke u kujdesur në mënyrë të veçantë për të sëmurët”. Sëmundja, që shfaqet
në shumë forma e godet në mënyra nga më të ndryshmet, bën të lindin disa pyetje shqetësuese:
Pse vuajmë? A mund të quhet pozitive përvoja e dhimbjes? Kush mund të na çlirojë nga
sëmundja e nga vdekja? Pyetje themelore, të cilat nganjëherë mbeten pa përgjigje,
sepse arsyeja nuk është në gjendje ta shqyrtojë këtë mister – tha Papa – e duke cituar
Enciklikën e tij ‘Spe salvi’ shpjegoi se sëmundja e vdekja vijnë, nga njëra anë prej
papërsosurisë sonë, e nga ana tjetër, prej masës së fajit, që është grumbulluar në
rrjedhë të historisë e që vijon të rritet pandalshëm edhe sot e kësaj dite. Natyrisht
duhet bërë ç’është e mundur për ta lehtësuar sa më shumë vuajtjen, por me vetëdijen
se nuk është në dorë tonë ta zhdukim plotësisht, sepse: “Ai që mund ta zhdukë
pushtetin e së keqes, është vetëm Zoti. Pikërisht për faktin se Jezu Krishti erdhi
në botë që të na zbulojë planin hyjnor të shëlbimit tonë, feja na ndihmon për të depërtuar
në kuptimin e çdo gjëje njerëzore e, prej këndej, edhe në kuptimin e vuajtjes. Ekziston,
pra, një lidhje e ngushtë ndërmjet Kryqit të Krishtit, simbol i dhimbjes më sublime
e çmim i lirisë sonë të vërtetë, e dhimbjes sonë, e cila shndërrohet e lartohet, kur
jetohet me vetëdijen e afërsisë e të solidaritetit të Zotit”. Prej këndej
– kujtoi Papa, Atë Pio e kuptoi se të sëmurët, mjekët e meshtarët do të ishin rezerva
dashurie: “Të jeni rezerva dashurie’: ja, të dashur vëllezër e motra,
misioni të cilin e kërkon përsëri Shenjti nga ju, që formoni familjen e kësaj Shtëpie
të ngritur për lehtësimin e vuajtjes”. Ky ishte mesazhi i Papës i cili,
duke i përshëndetur të pranishmit me fjalët e Kapuçinit Shenjt, i porositi ta bëjnë
qytezën e tyre, fidanishte bamirësie e vater dashurie.
Në orën 17. 30 e kishin
radhën priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret e të rinjtë, me të cilët Papa u takua
në Kishën e Shën Piut nga Pietrelçina, takim me të cilin do t’ju njohim në programin
tonë të nesërm.