2009-06-21 17:22:09

Mesha e Papës përballë 50 mijë vetëve në Shën Gjovani Rotondo: Shën Pio, mësues në luftën kundër së keqes e në udhëheqjen e shpirtrave.


(21.06.2009 RV)RealAudioMP3 “Të udhëhiqte shpirtrat e të lehtësonte vuajtjet”: me këto fjalë mund të përmblidhet misioni i Shën Pios nga Pietrelçina. E kujtoi sot paradite Benedikti XVI, shtegtar në viset e Shën Pios, gjatë kremtimit eukaristik përballë një turme prej 50-mijë besimtarësh, ardhur nga e gjithë Italia, por edhe nga Anglia, SHBA e Irlanda, që e pritën plot gëzim e emocion, në sa të gjitha këmbanat njëherësh përhapnin tinguj festivë, për t’ia lënë, pastaj, vendin orkestrës simfonike të konservatorit ‘Piçini’ të Barit.
Është vizita e parë që Benedikti XVI i bën Atë Pios, shtatë vjet pasi u shpall Shenjt, e dyta e një pape, pas asaj të Gjon Palit II.
Papa arriti këtu me avion, për shkak të kushteve metereologjike, dhe nisi menjëherë etapën e parë të shtegtimit të tij njëditor në San Giovani Rotondo: vizitën në qelinë n. 1, ku jetoi e vdiq Atë Pio. Pastaj Benedikti XVI zbriti në kriptën e Shenjtërores së Shën Marisë së Hireve e u lut në gjunjë para trupit të Shën Pios, vendosur në një kuti prej kristali. E, pasi puthi reliken, ku ruhen pjesë të zemrës së Shenjtit, asaj zemre, që rrahu njëherësh me Zemrën e Krishtit e u shporua si ajo, Papa ndezi dy llampa kushtore, për kujtim të vizitës së Gjon Palit II, në 87-tën e të vizitës së tij këtë të dielë qershori.
Gjatë Meshës, kremtuar me kelkun e Atë Pios, Papa shpjegoi kryesisht Ungjillin e kësaj së diele, që flet për stuhinë në liqenin e Tiberiades, për frikën e dishepujve e ndërhyrjen shpëtimtare të Krishtit, duke u ndaluar pastaj tek plagët, që Zoti i dhuroi Shën Pios, si simbol të bashkmit të ngushtë me Të e si dhuratë, e cila i shërbeu për të vijuar veprën e Krishtit në tre drejtime kryesore: duke kumtuar Ungjillin, duke zgjidhur mëkatet e duke shëruar të sëmurët në korp e në shpirt. E, siç dihet nga të gjithë, Atë Pio nuk pati një jetë të qetë. Iu desh të përballojë shumë beteja të vështira:
“Ashtu si Jezusi, luftën e vërtetë, betejën kryesore, Atë Pio nuk e bëri kundër armiqve tokësorë, por kundër shpirtit të së keqes. ‘Stuhitë’ më të tërbuara, që e kërcënonin, ishin sulmet e djallit, nga i cili ai u mbrojt me armaturën e Zotit, me mburojën e fesë e me shpatën e Shpirtit Shenjt, që është fjala e Zotit”.
Prandaj e njohu thellë dramën e njeriut, prandaj u flijua, ofroi vuajtjet e veta e shkriu gjithë jetën për të lehtësuar dhimbjet, sëmundjet, vuajtjet e njerëzve, si simbol i mëshirës së Zotit, i Mbretërisë së tij që vjen, që është tashmë në botë.
Kështu e përmblodhi Papa misionin e Shën Pios nga Pietrelçina, duke i nxitur të gjithë të pranishmit të ecin në rrugën e shenjtërisë, të zbulojnë gëzimin, që buron nga feja e krishterë, të provojnë mëshirën e Zotit, të jetojnë në bashkim me Krishtin, t’i përkasin Kishës së tij e ta jetojnë Ungjillin.








All the contents on this site are copyrighted ©.